Brenda pak ditësh do të zgjidhet Presidenti i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë. Presidenti si shtetari më i lartë dhe përfaqësuesi i unitetit të kombit, nuk duhet të jetë më një figurë që rri “prapa dere” kur mbahen mbledhje ndërkombëtare aty ku vendosen fatet e vendit. Ai duhet të jetë atje në mbledhje ndërkombëtare për të marrë vendime dhe angazhime! Ndryshe nga çka ka ndodhur deri më tani.
Dhe kush më mirë se një figurë ushtarake me profil human si ai i mjekut mund të merrte në dorë fatin e Shqipërisë. Në kushtet kur Ukraina dhe Rusia ndodhen në një konflikt që po lë pas mijëra viktima aq më tepër ku edhe Serbia është një mbështetëse e hapur e politikës ruse. Për pasojë lufta “zhvendoset” në Ballkan. Situata jo paqësore kanë nevojë për strateg, figurë ushtarake dhe njerëzore.
Një emër që përmbledh të gjitha këto kritere është Bajram Begaj.
Në vitin 2020, Begaj mori detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.
Në 22 gusht të vitit 2017 u gradua si gjeneral brigade, e pranishme ishte edhe ministrja e Mbrojtjes aso kohe Mimi Kodheli.
Kjo e fundit e cilësoi si të veçantë këtë gradim duke u nisur nga fakti që e merr për herë të parë këtë gradë një mjek. Gjatë fjalës së saj, Kodheli shprehu mirënjohje dhe respekt për figurën e Bajram Begaj dhe arritjeve të tilla profesionale dhe u ndal tek nevoja që kanë Forcat e Armatosura për profesionistë të të gjitha fushave: “Ushtria ka nevojë për njerëz të shkolluar, për njerëz me tituj, për njerëz të lexuar, për profesionistë të mirë që e tejkalojnë profesionin e ushtarakut, për specialitete të veçanta dhe ka pasur gjithmonë nevojë për ta.” – përfundoi ajo.
Kush është Bajram Begaj
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.
Ai gjithashtu ka përfunduar ‘Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë’, ndërsa mban edhe titullin ‘Profesor i Asociuar’ në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Gjeneral Major Begaj mbante postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (SHSHPFA) është detyra më e lartë ushtarake në FA. Aktualisht i martuar dhe ka dy djem, një familjarë model.
Bajram Begaj spikat për mardhëniet e shkëlqyera me partnerët e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjeneral Major Bajram Begaj është një ndër inisiatorët e stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane “Defenfer21”.
Gjeneral Major Bajram Begaj është një ndër lobuesit kryesorë të ngritjes së qëndrës operacionale të NATO-s në Kucovë.
Përvoja e gjatë ushtarake, humane dhe njerëzore, bëjnë që Gjeneral Major Bajram Begaj të jetë një emër që nderon “karriken” e postit të kreut të shtetit në rast se politika do të ketë vërtet vullnet që “Presidenti” të mos jetë pazar apo qokë, por të jetë përfaqësues i Unitetit të Shtetit dhe realisht Komandant i Forcave të Armatosura. /Priza.al