Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla ka folur sërish rreth Presidentit të ri, ku pohoi edhe njëherë se Ilir Meta ka qenë zgjedhje e gabuar.
Sipas Ballës, Presidenti i ri nuk duhet të ngjasojë me aktualin, por duhet të përfaqësojë unitetin e sovranit.
“Një president nga opozita siç ishte Ilir Meta ishte zgjidhja më e gabuar, siç ne e kemi thënë se nuk duam një president nga Partia Socialiste. Mendoj që presidenti i mirë duhet që të pranohet nga të gjithë shqiptarët, sipas Kushtetutës që përfaqëson unitetin e të gjithëve”, deklaroi ai gjatë një deklarate në vizitën e varrezave të dëshmorëve.
Sakaq, Balla garantoi se presidenti do të zgjidhet përmes një procesi transparent me grupet parlamentare të opozitës.
“Siç jeni në dijeni raundi i parë do të zhvillohet me 16 maj dhe koha është e mjaftueshme me premisën e mirë të nisur dje në konferencën e kryetarëve në një dialog të hapur dhe transparent me të tre grupet parlamentare të opozitës për ti dhënë Shqipërisë një president për të gjithë shqiptarët”, tha ai.