Sali Berisha njoftoi ditën e sotme, se Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi janë mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit si negociatorë të Partisë Demokratike për konsultimet me partitë opozitare. Vetë Bylykbashi zhvilloi një intervistë në Klan News për Milori Live ku sqaroi këtë vendim. Deputeti demokrat sqaroi se me Boçin do të negociojnë me partitë opozitare që të gjejnë qëndrimin e përbashkët lidhur me këtë çështje.
“Zgjedhja e Presidentit nuk është thjesht një proces parlamentar. Është proces që ngërthen maksimumin e vullneteve politike që synojnë konsensusin. Pse? Sepse presidenti është përfaqësuesi i unitetit të popullit. Është mekanizëm amortizues krizash, është një mekanizëm kontrolli dhe balancash. Duke qenë një proces i tillë dhe partitë me Kushtetutë dhe traditë dalin e votojnë 1 milionë e 700 mijë shqiptarë në zgjedhje, partitë politike janë aktorët kryesorë në këtë proces. Opozita ka rolin e saj. Ajo rezolutë ka përcaktuar në mënyrë të qartë duke u lidhur edhe me rezolutën e Kuvendit që ne nuk e bojkotojmë këtë proces. Marrim pjesë ë procesin e zgjedhjes së presidentit dhe do të marrim pjesë në proces me votën tonë.
Ajo që kemi marrë ne mandat sot, bashkë me zotin Boçi është që të negociojmë gjejmë qëndrim të përbashkët, të rakorduar me partitë e tjera opozitare për të parë kush është qëndrimi i përbashkët, emëruesi i përbashkët dhe rruga përpara. Procesi përfshin 5 raunde dhe diçka që dihet ta kenë parasysh shikuesit është që në të gjitha raundet ekziston mundësia që të futet një kandidat i ri. Në secilat prej këtyre 5 stacioneve nëse vullneti është i tillë për të gjetur një kandidat konsensual që vjen nga opozita me kritere të dakordësuara mes dy kraheve dhe është figurë përfaqësuese mund të futet në mes ose nga fundi një kandidaturë shumë e mirë. Edi Rama deri më sot tregon që nuk ka vullnetin për konsensus”.
Bylykbashi tha se presidentin duhet që ta propozojë opozita.
“Ne kemi thënë që do të bëhemi pjesë e një procesin në mënyrë aktive për identifikim kandidaturash me dakordësi kriteresh nëse mazhoranca do t’ia ofrojë të drejtën e propozimit të kandidaturave opozitës. Pra jo PD-së, por më gjerë, spektrit opozitar”, tha ai.