Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit me shumë mundsësi do të digjet, pasi kanë mbetur edhe pak orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që sot deri në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit mes maxhorancës dhe opozitës janë ndërprerë, pasi kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se PS ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus.
Nga Fieri ku pa nga afër procesin për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të PS, kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla tha se nuk e kupton pse PD u tërhoq nga marrëveshja e arritur në konferencën e kryetarëve ndërsa shtoi se orët në vijim duhen përdorur me përgjegjësi në mënyrë që të mos digjet pa kandidatë edhe raundi i dytë.
Kurse PD thotë se PS u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin sipas tyre vetë Balla ra dakord para syve të kamerave dhe shqiptarëve.