Presidenti Meta akuza të forta: Deputetët morën para për të votuar shkarkimin, po pres me durim të bashkëpunoj…

Presidenti Ilir Meta reagoi sot për herë të parë pas vendimit të Kuvendit për shkarkimin e tij me 104 vota.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Meta tha se nuk ka asnjë shqetësim nga akti antikushtetues i Kuvendit, ndërsa shtoi se pret me shumë qetësi e durim përfundimin e procesit të ankimimeve për 25 prillit, që të bashkëpunojë me shumicën e re.

“Siç e dini, pushtetin në gjithë territorin e vendit e kontrollon një parti. Nuk po ju lodh kokën as juve dhe as gjithë shqiptarëve, sepse të gjithë e dinë çfarë ka ndodhur. Nuk po japim shfaqje këtu se çfarë është deklaruar kundër Presidentit, por është një gjë tepër e qartë që gjitha shqetësimet e presidentit u verifikuan. Do ishte mirë të kishim pasur zgjedhje model, por e dimë shumë mirë të gjithë ata që duan ta dinë, se presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve.

Është për të ardhur keq që numri i denoncimeve zgjedhore para dhe pas procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se në 2017.  Kjo ka ndodhur për shkak të mos hetimit të dosjeve të Dibrës e Shijakut, por edhe për shkak të sfidës që është bërë publikisht për të përsëritur tërmetin e Dibrës edhe në Vlorë, e gjithë Shqipërinë.

Të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën në Elbasan e Kavajë, se kush e shtynte procesin në Elbasan, me javë të tëra. Sepse është keq kur mësohesh me 120 kartona në Parlament. Deputetët morën para për të votuar shkarkimin. Është keq kur mësohesh me 120 kartona jeshilë, e them edhe njëherë.

Nuk kam asnjë shqetësim nga akti antikushtetues i parlamentit njëpartiak. Unë pres me shumë qetësi e durim përfundimin e ankimimeve dhe të bashkëpunoj me shumicën e re, me opozitën e re, ne Parlamentin e ri, në respekt të Kushtetutës, për rivendosjen e llogaridhënies në të gjitha nivelet. Janë të gjitha mundësitë që kjo të vijojë në Kuvendin e ri”, tha Meta.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *