Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor është takuar sot me Presidentin e Republikës, Ilir Metën. Pahor ndodhet në Shqipëri në një vizitë në kuadër të përgatitjes së takimit të ë përvjetorit të 10-të të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 maj në Slloveni.
Gjatë konferencës me Presidentin Meta, Pahor foli për samitin e Brdo-Brijunit teksa tha se zgjerimi i BE në Ballkan i shërben paqes dhe stabilitetit. Sa i përket kufijve, një çështje shumë e diskutuar së fundmi për shkak të ‘non paper’-it, Presidenti i Sllovenisë tha se në BE kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishëm.
“Miku im Ilir, kënaqësi që pata rastin për një bisedë të gjatë dhe të sinqertë me kryetarin, mikun tim mbi rrethanat në Ballkanin Perëndimor, të cilit do t’i kushtohet konferenca në Lubjanë më 17 maj. Në BRDO në Slloveni do të takohemi udhëheqësit e nismës që tani e 10 vjet tenton me të gjitha fuqitë e veta të nxisë reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor për praninim sa më parë në BE por dhe BE të mbesë aktiv dhe dinamik.
Takimi i 17 majit do të jetë takim që e kanë vërtetuar prezencën të gjithë udhëheqësit. Do jetë më i rëndësishmi i 10 viteve të fundit, veçanërisht për shkak të ngecjes së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Udhëheqësit e kësaj nisme janë të aftë që në mes të majit të japin përvojën personale, konsensusin, një dinamikë të re.
Zgjerimi i BE në Ballkan i shërben paqes dhe stabilitetit. Në anëtarësinë e BE, kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishëm dhe nuk ka nevojë për ndryshimin e tyre. Nga përvoja dimë që ndryshimi i kufijve në këtë pjesë të Evropës nuk bëhet pa flijime”, deklaroi Pahor.