Presidentja, Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në NATO, pasi vetëm kështu mund të shtohen parametrat e sigurisë.
Osmani duke rikujtuar ndërhyrjen ushtarake të NATOS në vitin 1999 tha se kur bota dhe demokracia qëndron së bashku, atëherë njerëzit mund të udhëhiqen drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Pra, praktikisht, arsyeja kryesore pse njerëzit e Kosovës dhe vizioni ynë si liderë institucionalë të Kosovës, po ecën drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO, është siguria dhe mbrojtja. Por gjithashtu edhe sepse ne nuk e shohim NATO-n thjesht si një makinë ushtarake, por e shohim si një sistem të bazuar në vlera. Në vitin 1999, kombet e NATO-s dhe aleatët e NATO-s nuk qëndruan duarkryq teksa populli i Kosovës ishte duke u pushtuar dhe në të njëjtën kohë, mbi të po kryhej gjenocid nga forcat e Millosheviçit. Sigurisht, viti 1999 është një shembull se si kur bota qëndron së bashku dhe kur demokracia qëndron së bashku, njerëzit mund të udhëhiqen drejt lirisë dhe pavarësisë.
Pra NATO përfaqëson vlera që janë themelore, që janë pjesë e rëndësishme e strukturës së shoqërisë sonë dhe siç thashë, do të thotë gjithashtu siguri dhe mbrojtje për këtë pjesë të botës që ka vuajtur kaq shumë për shkak të diktaturave dhe regjimeve hegjemoniste që udhëhiqen nga Serbia”, tha ajo.