Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua ditën e sotme me zëvendës-Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani në Romë.
Në kuadër të këtij takimi u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali.
Presidentja Osmani dhe zv. Kryeministri Tajani diskutuan për rëndësinë e marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë së fundi në Bruksel dhe në Ohër, si dhe për rëndësinë e kontribuimit të vazhdueshëm për paqe e stabilitet në rajon.
Osmani tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe poashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog. Në anën tjetër, Presidentja shtoi se pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat eurotlantike.
Presidentja e shtroi çështjen e votimit në Këshillin e Europës duke theksuar urgjencën e një vendimi të tillë si dhe rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër.
Presidentja Osmani dhe zëvendës Kryeminstri Tajani u pajtuan për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e zgjeruar nivelin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë për njohjen e patentëshoferëve të Kosovës, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet forumit të bizneseve që do të organizohet së shpejti në mes të Kosovës e Italisë, thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor, etj.
Më tej ajo theksoi se diskutoi me Tajani edhe për angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për avancimin e mëtejmë të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, me ç’rast i përmendi vlerësimet pozitive të raporteve kredibile ndërkombëtare.
Presidentja foli me Kryeministrin Tajani për vizitën e zhvilluar në Kalabri në mesin e komunitetit arbëresh. Ajo foli për rëndësinë e promovimit të mëtejshëm dhe kultivimit e ruajtjes së kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali, si dhe për projekte të përbashkëta që mund të shtyhen përpara me këtë qëllim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Italisë.