Përballë presionit perëndimor që është gjithnjë në rritje, gjiganti teknologjik kinez, TikTok ka përditësuar udhëzimet lidhur me përmbajtjen. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë të shqetësuar se TikTok-u mund të përdoret për të shpërndarë informacione të rreme.
Ky aplikacion i njohur për formatin e videove të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance. Shumë dyshojnë në ndarjen e të dhënave me Pekinin zyrtar. Julie de Bailliencourt, udhëheqëse e politikës së TikTok-ut për produktet, deklaroi:
“Parimet janë të bazuara në përkushtimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut, në përputhje me udhëzuesin ligjor ndërkombëtar. TikTok-u synon të jetë i drejtë, të mbrojë dinjitetin njerëzor e të balancojë lirinë e shprehjes, duke parandaluar dëmet”.
Ky aplikacion kinez është duke u kritikuar gjerësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në Europë e Azi-Paqësor. Kjo pasi shumë qeveri e kanë ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisjet qeveritare, për shkak të rreziqeve të mundshme kibernetike dhe atyre të lidhura me dezinformim.
Deri më tani nuk ka të dhëna se diçka e ngjashme ka ndodhur në TikTok, dhe as që aplikacioni i ka ndarë të dhënat me qeverinë kineze, siç disa kritikë mendojnë se mund të ndodhë.
Ditën e nesërme, shefi i TikTok-ut, Shou Zi Chew, pritet të paraqitet para Kongresit Amerikan ku do të merret në pyetje për praktikat e TikTok-ut dhe lidhjet me qeverinë kineze.