Illyridium Media Group u themelua më 12 janar 2021 si një opsion i ri në tregun mediatik shqiptar. Nëpërmjet www.priza.al, www.abc24.al dhe www.gazetari.al “Illyridium Media” ka si mision që lajmi, investigimi, zëri qytetar dhe transparenca ndaj publikut të jenë primare në punën e stafit tonë.
Që në ditët e para, u përballëm me sulme dhe padi nga individë apo kompani shtetërore ose private, të cilët nuk pranonin kurrsesi që publikisht të demaskoheshin duke i nxjerrë në media bëmat dhe gjëmat e veta.
Një varg padish u ngritën në gjykatë, ku me secilën prej tyre, “Illyridium Media Group” u përball dhe doli nga gjykata duke marrë drejtësi me vete. Juristët tanë kanë ndjekur në respekt të ligjit dhe institucionit çdo seancë.
Por dy prej padive “hanë bukë veç”. Që kur studio jonë ligjore na njoftoi, vendosëm t’i shpërfillim, neverisim e madje të mos paraqitemi fare në seancë. Përse ky diferencim?
I marrim me radhë.
Në çdo padi që na është bërë, padiskutim pala tjetër ka pasur interes të mbrojë veten, qoftë nëpërmjet spiraleve proceduriale. Deri diku kanë qenë përballje të drejta, me argumente. “Imbecilë” si argumente, por gjithsesi ishin të tilla. Por me këta dy individë të cilët paditën, u shpërfillën, injoruan dhe në fund humbën, është një tjetër histori.
Këta nuk mund t’i quash biznesmenë. Këta nuk mund të jenë të prekur. Madje, madje këta nuk e meritojnë as numeracionin “individ”.
Bajram Muça
Bajram Muça është President i Fondit Besa. Një institucion mikrokredie i përfshirë në skema zhvatje dhe vjedhje ndaj qytetarëve. Skema të cilat janë kryer dhe kryhen me bekimin e Bajram Muçës dhe bordit drejtues. Ishin qytetarët të cilit rezultonin kreditorë te Fondi Besa pa marrë kurrë kredi, të cilët denoncuan me emër dhe mbiemër hallin e vet.
E ku ishte faji i stafit tonë? Përse pasqyruam hallin qytetar? I mësuar me drejtësinë e deridjeshme të atij që edhe sot është “pronari i lekëve” të Bajramit, ky i fundit guxoi t’i tregojë një medieje derën e drejtësisë për padrejtësitë që ka ngritur si sistem financiar.
Humbi dhe sërish do të humbë, pasi në do të vijojmë të trajtojmë çdo denoncim jo vetëm për “Suden” e Bajramit që e quan “BESA”, por për çdo kioskë të tillë, e rrjedhimisht dhe paditë do të vijojnë.
Ylli Ndroqi
Pronari i ORA NEWS ngriti një padi ndaj “Illyridium Media Group” dhe ndaj botuesit z. Elio Laze pas lajmit të publikuar nga mediat tona se SPAK kishte marrë vendimin për sekuestron përfundimtare të pasurive të z. Ndroqi si i përfshirë në trafik heroine e se rrjedhimisht dhe pasuritë e tij ishin pasuri krimi.
Po këtu, ku gaboi stafi ynë z. Ndroqi? As nuk ju akuzuam ne, as ju hetuam ne, e as ju dënuam ne. Madje, si njerëz të medias që jemi, kemi bërë çështë e mundur që njolla që po ju vihej, t’ju hiqej sa më parë, dhe ju këtë e dini mirë. Akuzat ndaj jush, i ngritën më së pari ata që ju keni sot miq dhe në krahun tuaj, e më pas drejtësia.
Edhe padia e z. Ndroqi u hodh poshtë nga gjykata dhe ditën e sotme jemi njoftuar zyrtarisht.
Këto dy njoftime brenda ditës, na shtynë të bëjmë këtë reagim, i cili më së pari është transparencë ndaj lexuesit tonë, e së dyti është një thirrje publike ndaj individëve që mendojnë si Bajram Muça apo Ylli Ndroqi nëpërmjet shantazhit dhe padive, goja e medias mund të “kyçet”.
Nëse Bajram Muça këtë nuk e ka të qartë se “lundron” nëpër shifra, Ylli Ndroqi që “lundron” mes gazetarësh e di mirë. E di që as me “Illyridium Media” nuk do të fitojë asnjë gjyq, e as botuesin tonë nuk arrin ta shantazhojë dot.
Nëse jeta do të ishte një Big Brother, zotërinjve të sipërpërmendur do i bënim një thirrje: “Në këtë pikë të lojës, është shumë e rëndësishmë të shihni jetën tuaj, të ecni përpara e kurrë më mbrapa!”.
Megjithatë kjo e fundit ishte shumë optimiste nga ana jonë
Mesa duket për ju nuk ka më përpara. E ardhmja juaj është mbrapa!