Për shkak të rritjes së numrit të emigrantëve përmes itinerarit të Ballkanit Serbia duhet të ashpërsojë rregullat për dhënien e vizave. Serbia deklaroi se do të marrë masa deri në fund të vitit.
“Serbia duhet të ndryshojë tani praktikën e vizave”, kërkoi ministrja gjermane e Punëve të Brendshme Nancy Faeser (SPD) në takimin e ministrave të Brendshëm të vendeve të BE-së (14.10) në Luksemburg. Komisarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johansson nuk e përjashtoi si mjet presioni edhe vështirësimin e udhëtimit për shtetasit serb. “Ne duhet ta ndalim fluksin”, tha Johansson më tej.
Sipas të dhënave të Agjencisë së BE-së për Mbrojtjen e Kufirit Frontex që nga fillimi i vitit përmes rrugës ballkanike kanë ardhur mbi 106.000 vetë ielegalisht në BE, 170 përqind më shumë se brenda së njëjtës periudhë të një viti më parë. Kjo është kuota më e lartë që nga vitit 2016.
BE-ja e akuzon Serbinë dhe të tjera vende të Ballkanit Perëndimor, se po i anashkalojnë rregullat e hapësirës Shengen. Serbia ka marrëveshje për udhëtimin pa viza me Indinë, Tunizinë dhe me Turqinë, tha ministri i Brendshëm dhe i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. “Të ardhurit nuk qendrojnë atje po vazhdojnë rrugën për më tej”, theksoi ai.
Edhe nga vendi afrikano-lindor Burundi e madje edhe nga Kuba aktualisht vijnë shumë njerëz përmes rrugës ballkanike në BE, një itinerar që zakonisht përdoret nga sirianët e afganët. Shumë nga këta të sapoardhur nuk kanë shanse për azil në Europë. Krahas Gjermanisë, Francës dhe Italisë edhe vendet tranzit si Austria apo Belgjika janë të ngarkuar me një fluks të tillë.
Ministrja e Brendshme gjermane Faeser lidhur me mjetet e presionit iu referua edhe dëshirës së Serbisë për anëtarësim në BE. Ndër kriteret e anëtarësimit bën pjesë edhe një praktikë e koordinuar për vizat. I ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, vuri në dukje deklarimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se deri në fund të vitit procesi i lëshimit të vizave në vendin e tij do të përshtatet me standardet europiane. Ky është “një hap i rëndësishëm, sepse kjo do të kontribuojë për kufizimin e udhëtimit përmes Serbisë”, tha Sarrazin duke folur për gazetën Funke Mediengruppe./DW/