Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë në familje, ndaj familjes Zaharia.
Prokuroria bën me dije se do të hetohet edhe për videon e publikuar në media, ku aktorja Elia Zaharia në disa momente shihet duke qëlluar princ Lekën, duke e akuzuar se ky i fundit ka ushtruar dhunën ndaj babait të saj, Gjergj Zaharia.
“PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale. Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal. Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës. Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale. Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur. Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, njofton prokuroria.