Princi i fuqishëm i kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman, është emëruar kryeministër i shtetit, një pozitë që tradicionalisht i takon mbretit. Princi Mohammed, i cili ka vite që konsiderohet udhëheqës de facto i shtetit, ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministër nën Mbretin Salman, si dhe si ministër i Mbrojtjes.
Pozitën e ministrit të Mbrojtjes e ka marrë tani vëllai i tij i vogël, Khalid bin Salman, i cili më parë ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ministritë tjera të rëndësishme, përfshirë atë të Jashtme dhe të Energjisë, vazhdojnë të kenë udhëheqësit e njëjtë, sipas një dekreti të Mbretit të Salman, që është publikuar nga agjencia zyrtare e Arabisë Saudite.
Princi Mohammed, i cili ka mbushur 37 vjet këtë muaj, është i pari në linjë për të marrë pozitën e mbretit. Ai është bërë ministër i Mbrojtjes më 2015, një hap i madh drejt konsolidimit të pushtetit.
Arabia Saudite nuk deklarohet publikisht rreth spekulimeve për shëndetin e Mbretit Salman, 86-vjeçar. Ai ka udhëhequr Arabinë Saudite – shtetin lider në botë për eksporte të naftës – prej vitit 2015.
Më 2017, ai ka hedhur poshtë raportimet se planifikon të abdikojë fronin ashtu që Princi Mohammed të marrë pushtetin. Mbreti Salman është shtruar dy herë në spital këtë vit. /REL/