Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me krimin në Pejë ku e reja Gjyljeta Ukelli u qëllua për vdekje në banesë nga bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi. Nga të dhënat paraprake dyshohet se Lajçi e ka qëlluar bashkëshorten me dy plumba në kokë, teksa nuk dihen ende motivet e ngjarjes së rëndë. Prokurori i krimeve Ersan Qavolli bën me dije se autori pak krimit është vetëdorëzuar në polici, ndërsa rezulton i dënuar më herë për dhunë në familje.
“Sigurisht që menjëherë e kemi bërë nxjerrjen e të kaluarës kriminale. Kemi informata që i njëjti ka pasur vepra të dhunës në familje për një rast të mëhershëm në vitin 2021. Fëmijët sigurisht që janë tek familjarët. Ata kanë pasur tre fëmijë. Duhet të jenë rreth moshës 45 vjeçare. Është dorëzuar vet menjëherë pas kryerjes së veprës penale. Sot rreth orës 08:00 e kemi pranuar një informacion për kryerjen e një vepre penale, vrasje e rëndë. Menjëherë së bashku me kryeprokurorin dhe zyrtarë e tjerë policor kemi ndalur në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë. Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore, kemi lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës.
Kemi dyshime fillestare mirëpo për momentin për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të lëshohemi më shumë lidhur me motivet. Edhe lidhur me këtë çështje gjatë fazës hetimore do të ju njoftojmë me kohë për të gjitha informatat që konsiderojmë që janë të rëndësishme për publikun, mirëpo në këtë fazë nuk mund të japim më shumë për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe lidhur me gjendjen apo trupin e së ndjerës. Është rast shumë i ndjeshëm. Keni parasysh që kemi të bëjmë me privimin nga jeta të bashkëshortes së të pandehurit dhe nuk mund të japim më shumë informata lidhur me mënyrën apo se kush ka qenë prezent në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar ai.