Prishet gjithçka…/ Polonia na ndëshkon me gol, tifozët hedhin sende në fushë, arbitri ndërpret ndeshjen

Polonia ka shënuar golin e parë ndaj kuqezinjve në stadiumin “Air Albania”, duke thyer kështu rezultatin dhe kaluar në avantazh.

Goli ka tensionuar tifozët kuqezinj në stadium, të cilët kanë goditur futbollistët polakë me shishe. Kjo ka bërë që gjyqtari të ndërpresë menjëherë ndeshjen.

Arbitri në minutën e 78’ ka vendosur ndërprerjen e ndeshjes, pasi ka hedhje sendesh në fushë dhe gjyqtarët udhëzojnë që skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjeve.

Një fitore ndaj polakëve i hap rrugën Shqipërisë për play-off, duke afruar një hap më shumë me një ëndërr siç është ajo e pjesëmarrjes në Katar 2022.

Zhvillimet nga pjesa e parë:

Pjesa e parë mes Shqipërisë dhe Polonisë në “Air Albania Stadium” ka përfunduar në barazim pa gola. Rezultat që më shumë kënaq miqtë, pasi kalendari i nëntorit i favorizon.

Ndeshja nis me ritëm. Minutat e para janë disi më të mira për polakët, duke qenë pranë zonës me disa ndërhyje që bëjnë miqtë të kërkojnë ndërhyrjen e VAR, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

Pastaj Ramadani vjedh topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe e çon te Manaj. Ky i fundit nuk pason tek Uzuni, por tenton vetë. Sfera devijohet dhe shkon tek Uzuni, por Kryçoviak kthehet dhe largon sferën.

Në 11’ është një moment i mirë për tanët, Roshi shpërthen në të djathtën, por topi i tij në qendër ndalet nga mbrojtja. Miqtë marrin sërish iniciativën, tre goditje këndi radhazi, tek e treta topi shkon te Buksa, i cili në zonën e vogël gjuan, por çon sferën mbi traversë.

Polakët marrin kontrollin e manovrës, por nuk arrijnë të çajnë mbrojtjen e ngjeshur të kuqezinjve, duke qëndruar larg zonës së Berishës. Buksa i ikën Ismajlit nga e majta dhe nis një harkim në zonë për Levandovskin. Ky i fundit gjuan direkt, por bllokohet nga Kumbulla.

Ka edhe nervozizëm dhe Buksa ndëshkohet me të verdhë. Levandovski duket sikur ka probleme, por gjithsesi, qëndron në fushë, edhe pse dalin dy polakë në nxemje. Pjesa e parë përfundon 0-0.

Në minutën e 59-të vjen momenti i Brojës, i cili futet në fushë në vend të Uzunit, i gjithë stadiumi në këmbë për sulmuesin shkodran. Më pas Lenjani merr vendin e Trashit, por nuk është se ka freski.

Për të ardhur në minutën e 77-të, kur Swiderski shënon gol për Poloninë. Një kros i gjatë, topi në shtyllën e dytë dhe polaku nuk fal. Tifozët hedhin sende në fushë e lojës, duke rrezikuar të godasin ndonjë futbollist. Gjyqtari ndërpret ndeshjen…

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *