Një grabitje me armë ka ndodhur në filialin e një institucioni mikrofinanciar në qytetin e Prishtinës këtë të enjte.
Mediat kosovare bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Nazim Gafurri” në kryeqytet.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, bëri me dije se një person i armatosur ka mundur të marrë nën kërcënimin e armës një shumë parash në institucionin mikrofinanciar në fjalë.
“Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.