Nga Ylli Manjani
Vendimin e jetës ky e harxhoi për të përzënë Berishën nga partia, dmth., nga asgjëja.
Dhe ne prisnim që ky të kishte vendimin e jetës së tij largimin e Ramës dhe ardhjen e vet në pushtet, dmth., tek vetë gjëja.
Zhgënjim…
****
Lulzim Basha, që harxhoi vendimin e jetës së Tij politike, me një njeri të vetëlarguar nga partia që prej 8 vitesh, nuk ka më asnjë shans të bindë njeri t’i shkojë nga prapa.
Sot kanë përfundimisht të drejtë të gjithë ata që na thoshin se Luli nuk bën për këtë punë. Luli ka humbur tashmë mbështetje të një shumice të madhe votuesish që duan ndryshim.
Sinqerisht, unë vetë sot mendoj se është më mirë Rama aty ku është sesa të mbaj shpresë tek Luli, që krijon debat me partinë e vet për një të vetëlarguar në fund të fundit… Vaj hallin ç’mund të bëjë ky ndaj atyre që duan të zhvillohen në karrierë..!
****
Uroj që të marrë sa më parë edhe vendimin e dytë të jetës së Tij: të dorëhiqet paqësisht. Ai nuk drejton dot më atë parti. Ai nuk është në harmoni logjike, politike e shpirtërore me atë parti.
Mbi të gjitha, Basha ka dhënë qartësisht idenë se është i shantazhueshëm. Ky është fundi. Ata që e mbajnë nën shantazh nuk e falin. Herët a vonë do ta këpusin. Por deri atëherë do ketë bërë më shumë dëm sesa të mira.
Gjykoj se alternativa që mbetet është: o ikën Luli, o ikën PD nga jeta politike. (Largimi i PD ishte edhe qëllimi i gjithë superpropagandës së superpushtetit, të paktën i 2 viteve të fundit.)
Nga ana tjetër, nuk është zgjidhje as rikthimi i Doktorit në krye të saj…
*****
Në këtë pikë PD nuk mund të jetë më çështje vetëm e demokratëve.
PD duhet të synonte të forconte lidhjet me shqiptarët që e votojnë dhe jo me ambasadat që e shantazhojnë… Se në zgjedhje të votojnë shqiptarët, jo ambasadorët. As kundërshtarët politikë.
/Priza.al/