Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar mbrëmjen e sotme se opozita priste një kërkim falje nga kryeministri Edi Rama dhe dorëheqjen e tij.
I ftuar në emisionin Opinion, Berisha tha se Rama ka përdorur agjentin e FBI-së, Charles McGonigal për të goditur opozitën. Sipas tij, Rama mohoi sot në Kuvend të gjitha akuzat duke vënë në dyshim drejtësinë amerikane.
“Sot PD kishte një qëllim, të bënte transparencën e plotë të një skandali që po pranohet universalisht si Watergate i shek. 21. Në rrafsh me opozitën, një nga aktet më të papërgjegjshme ndaj partnerit kryesor SHBA nga kryeministri i një vendi që ka detyrime pa fund ndaj SHBA. Krimet që në këtë skandal ka kryer Rama me aktet e tij të korruptimit dhe kërcënimit të sigurisë së SHBA dhe botës, krimin antikushtetues, përpjekja për të shkatërruar opozitën përmes McGonigal dhe funksionimit të një rrjeti mafioz për të gjobitur biznesmenët shqiptar me Nezën, Duçkën dhe McGonigal.
Ne kemi bërë publike sistematikisht fakte, ritheksuam përdorjen e ministrave, bashkëpunimin e ngushtë të grupit mafioz Rama-Balla-McGonigal dhe ministra të tjerë.
Rama mohoi ato për të cilat akuzohet rëndë duke vënë në dyshim drejtësinë amerikane. Apologjia e kateve të tij më të renda. Prisnim që të kërkonte faljen dhe të jepte dorëheqjen. Çdo zyrtar përballë një skandali të tillë ka vetëm një rrugë, dorëheqjen, përveç atij që është i aftë të marrë çdo veprim për hir të pushtetit. Rama foli dhe iku si një kufomë politike. Nëse studion qëndrimin e tij, kur mezi mbahej në këmbë në katedër. Nuk ka probleme me shpinën ai, por ka problem se ka bërë suicid politik. Ai ka lëvizje të pakontrolluara, ai nuk është në agoni nga sëmundja, por nga trauma politike që ka bërë. E humbi kontrollin e lëvizjeve. Në çorbën e tij, ekziston edhe versioni i parave ruse, por mos harro se shumë herë më i rëndë është problemi i licensave ruse”, deklaroi Berisha.