Prisnin dru në zonë të mbrojtur, arrestohen 2 persona në Pogradec; mes tyre edhe inspektori i pyjeve

Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në Pogradec, pasi prisnin dru në zonën e mbrojtur të Llëngës. Bëhet me dije se një prej të arrestuarve është inspektor pyjesh. Personat që i prisnin drutë, i organizonin dhe më pas i shisnin. Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi prej 20 metër dru ahu dhe lisi që ishin ngarkuar në një kamion tip ‘’Benz’’.

Njoftimi i policisë:

Pogradec; Finalizohet operacioni “Mokra”.

Operacioni pas një hetimi disamujor, nga Komisariati i Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve.

Ushtronin në mënyrë të organizuar aktivitetin kriminal të prerjes së pyjeve në zonën e mbrojtur të Llëngës, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Midis të ndaluarve edhe një inspektor pyjesh, i cili shpërdoronte detyrën.

Sekuestrohet lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një hetimi disamujor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, finalizuan operacionin e koduar “Mokra”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Xh., 43 vjeç (me detyrë inspektor pyjesh pranë Bashkisë Pogradec), A. Xh., 35 vjeç, si dhe u proceduan penalisht shtetasit F. M., 51 vjeç dhe G. A., 30 vjeç, banues në Pogradec.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë këtij operacioni rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin në mënyrë të organizuar, prerje të paligjshme të pyjeve në zonën e mbrojtur të Llëngës në Pogradec, dhe grumbullonin, transportonin e më pas shisnin lëndën drusore në subjekte dhe persona të tjerë.

Shtetasi A. B., duke qenë me detyrë inspektor pyjesh, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar dhe favorizuar këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, shërbimet e Policisë, në rrugën Vërdovë-Pogradec, kanë kapur 35-vjeçarin A. Xh. (i proceduar edhe më parë për prerje të paligjshme të pyjeve), duke transportuar me mjetin tip kamion “Benz”, 20 metër sterë dru ah dhe lis, pa dokumentacionin përkatës, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *