Zgjedhjet e 25 prillit kanë sjellë pakënaqësi mes palëve, sikundër ka ndodhur në çdo zgjedhje por edhe ‘luftë’ të ashpër brenda grupit. Prej ditësh, brenda së djathtës, shumë personazhe me peshë janë hedhur kundër kryedemokratit Basha. E ndërsa ky i fundit ka lënë të nënkuptuar se nuk do të ketë tërheqje, dhe se do të luftojë deri në fund.
Mos mbështetja e pritshme ndaj zgjedhjeve, ka bërë që të japin dorëheqjen nënkryetari i bashkisë dhe drejtori i policisë bashkiake në Shkodër. Në tërësi, fushata elektorale e demokratëve të Shkodrës është shoqëruar me tensione dhe pakënaqësi brenda selisë blu.
Rezultati dhe fushata elektorale e zhvilluar nga demokratët, ka sjell një ‘përplasje’ në bashkinë e Shkodrës. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Arben Gjuraj, i cili kandidoi për deputetët në radhët e PD-së, duke qenë i 11-ti në listë, sot ka dhënë dorëheqjen nga detyra e nënkryetarit të bashkisë Shkodër.
Vendimi në fjalë ka ardhur për shkak të pakënaqësive të tij, i cili nuk ka marrë mbështetjen që priste. Thuhet se ai nuk është mbështetur nga bashkia e Shkodrës dhe kryebashkiakja Voltana Ademi në fushatë.
Si rezultat i këtyre pakënaqësive dhe përplasjeve ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i policisë bashkiake në Shkodër, Anton Hasanpapaj.
Në garën elektorale, e dyta në listën e demokratëve ishte edhe nënkryetarja e bashkisë, Emilia Koliqi, e cila ka siguruar mandatin e deputetit.