Pas pandemisë Covid-19, lija e majmunëve është kthyer në kërcënimin e radhës për qytetarët në mbarë botën, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për asnjë rast në Shqipëri.
Në vendet fqinje janë shfaqur rastet e para duke rritur rrezikun akoma më shumë, kjo edhe për faktin se jemi në prag të hapjes së sezonit veror dhe në vendin tonë pritet të futen një numër i madh turistësh.
Në një intervistë për “TVKlan”, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregon se për të dalluar linë e majmunit nga sëmundje të ngjashme kanë nisur trajnimet me mjekët.
“Mjekët mund ta ngatërrojnë, por ka elemente të rëndësishme për tu ditur. Nis me temperaturë rritje të gjendrave limfatike shenja në lëkurë. Nisin nga fytyra, pëllëmbët shputat dhe në të gjithë trupin. Kalon në disa faza”, tha Bino.
Sakaq sqaron se sëmundja prek çdo moshë dhe zgjat rreth një muaj. Por shqetësim janë personat me probleme të imunitetit mund të shkaktojë humbje jete.
“Zgjat deri 4 javë dhe është infektuese derisa zhvishet lëkura. Duhet të jemi të kujdesshëm mos prekim sytë se mund te çojnë në verbim. Ata persona me dëmtime të imunitetit mund të bëjnë forma të rënda. Lija e majmunit mund të transmetohet në disa forma. Veshjet apo mjetet e ngrënies së personit të infektuar mund të shërbejnë si transmetues”, shtoi ndër të tjera ajo.