Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtuesin e ri të Cirkut Kombëtar. Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ ajo ka ndarë me publikun edhe lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna për projektin e ‘shtëpisë së re’.
Margariti theksoi se së bashku me drejtorin e ri të Cirkut diskutuan problematikat e hasura deri tani dhe projektet për të ardhmen e institucionit.
Postimi i plotë:
Bashkë me ekipin entuziast të Cirkut Kombëtar zhvilluam takimin e parë me drejtorin e ri të institucionit, Laid Ymeri.
Diskutuam mbi problematikat dhe vizionin tonë për të ardhmen e Cirkut.
Shumë shpejt do të nisë puna për realizimin e projektit të shtëpisë së re, që mendojmë të jetë shumë pranë Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, si dy institucione që japin e marrin me njëri-tjetrin.
Së bashku do ta kalojmë këtë periudhë tranzicioni, drejt ringritjes së artit të bukur dhe të dashur të cirkut.
Faleminderit drejtorit të QKKF, Agim Bajko që e mbështetët Cirkun në ditë të vështira, duke i kaluar stafetën drejtorit të ri!