Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në një komunikatë për mediat raportoi për situatën e procesit zgjedhor. Sipas tij, në KQZ kanë mbërritur 29 denoncime, 4 janë nga subjektet politike, një nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe 24 nga qytetarë të ndryshëm.
Sipas Celibashit, denoncimet kanë të bëjnë me votimet familjare, intimidimet apo edhe për mosfunksionimin e pajisjeve elektronike.
Celibashi: “Në lidhje me denoncimet, në total deri tani në KQZ kemi 29 denoncime, të paktën zyrtarisht të prezantuara në mënyrë formale.
Janë 4 denoncime, 3 nga PS dhe një nga BF. PS ka dy denoncime për kandidatin për kryetar të bashkisë në Elbasan dhe një për kandidatin e “BF” në Tiranë në dy raste për thyerrje të heshtjes zgjedhore, për kandidatin në Elbasan dhe Tiranë.
Ka 1 denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Janë edhe 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm.
Bashkitë që janë me probleme janë Tirana, Durrësi, Elbasani, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Peshkopia dhe Tropoja.
Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve lidhen me parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e komisionerëve, korrupsion aktiv ose pasiv në procesin e votimit. Në Dropull denoncimi lidhet me prishjen e pajisjes. Ka denoncime për intimidim të votuesve, denoncimet lidhen me postime me përmbajtje elektorale dhe e fundit lidhet me votimet familjare”.