Procedohen gjashtë persona, prishën qetësinë publike

Vijon zbatimi i masave për rritjen e parametrave të sigurisë në fundjavë.

Grupe kontrolli në të gjitha qendrat urbane dhe zonat bregdetare, për parandalimin e ndotjes akustike.

Zbatimi i masave është monitorur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjatë kontrolleve evidentohen 6 raste dhe procedohen penalisht 6 shtetas, pronarë dhe menaxherë të disa subjekteve, që prishën qetësinë publike duke shqetësuar banorët, pasi kishin vënë muzikë të lartë në ambientet e lokaleve të tyre.

5 raste janë evidentuar në Tiranë dhe 1 rast është evidentuar në Ksamil.

Policia ka sekuestruar pajisjet që gjenerojnë muzikën.

Ndërsa në qarqet e tjera, pronarët e lokaleve në orën 24:00, kanë zbatuar ndalimin e muzikës sipas ligjit.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në zbatim të Planit të Masave me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë gjatë fundjavës, e kryesisht parandalimin e ndotjes akustike, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë mbledhjes me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha lokalet dhe hotelet që gjenerojnë muzikë me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve, nga muzika e lartë në lokale.

▫️Gjatë kontrolleve në Tiranë, në disa lokale në ish-bllok, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë konstatuar muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët dhe kanë shoqëruar në komisariate menaxherët dhe pronarët e këtyre lokaleve. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasit E. G., E. Xh., A. S., E. L, E. P., të gjithë banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjenerojnë muzikën.

▫️Gjatë kontrolleve në Qarkun Vlorë, në një lokal, në Ksamil, Sarandë, shërbimet e Policisë, kanë konstatuar muzikë jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike. Pronari i këtij subjekti gjithashtu ka kundërshtuar mbylljen e muzikës. Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku u procedua në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetesisë publike” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, pronari i këtij lokali, shtetasi S. M. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjenerojnë muzikën

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *