Procedohet i riu; ishte deportuar nga Greqia por tentoi të rikthehej duke…

Një shtetas 30-vjeçar ka tentuar të korruptojë një efektiv të policisë kufitare për të kaluar ilegalisht në Greqi.

I riu me inicialet S.D. ishte deportuar nga shteti fqinj dhe ka tentuar të rikthehet në Greqi. Kur shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë i kanë kërkuar pasaportën, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit, ai ka dorëzuar mjetin e identifikimit me një kartmonedhë 50 euro në brendësi të saj.

Ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Kufitare, për të dalë në mënyrë të parregullt nga Shqipëria, pasi ishte kthyer deportiv nga pala greke, procedohet penalisht 30-vjeçari.

Punonjësit e Policisë Kufitare të PKK Kakavije, në vijim të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për të korruptuar punonjësin e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të parregullt.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të RSh-së, i kanë kërkuar shtetasit S. D., pasaportën, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit. Shtetasi S. D. e ka dorëzuar pasaportën me një kartmonedhë 50 euro në brendësi të saj, me qëllim korruptimin e punonjësit të Policisë Kufitare, që ta lejonte të kalonte kufirin në mënyrë të parregullt, duke qenë se shtetasi S. D. ishte kthyer deportiv nga Policia Kufitare e Greqisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. D., 30 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *