Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku mori pjesë ditën e sotme në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, me praninë edhe të komisionerit europian Oliver Varhelyi. Gjatë fjalës së saj ajo vlerësoi rikthimin e procesit të Berlinit si një nismë e plotë dhe gjithëpërfshirëse.
“Data 16 tetor, do të jetë një tjetër ditë e shënuar dhe e rëndësishme për vendin tonë jo vetëm sepse pret këtë proces por sepse hedh një tjetër hap në anëtarësimin e rajonit në BE. Si dhe i paraprin, jetësimit të heqjes së vizave për Kosovën e cila më në fund nuk është më një ishull në Ballkanin Perëndimor dhe as një zonë gri në hartën e Europës”.
Tabaku tha se kjo kohë e humbur, mund të ishte përdorur për transformimin real të Shqipërisë.
“BE ka qenë në krahun dhe ndihmë për shqiptarët madje kanë qenë më pranë sa herë që qeveria e ka përdorur si alibi për pamundësinë e saj për t’u përballur me krizat.
Për ta bërë gjithëpërfshirës, për të shtrirë dorën ndaj mendimit ndryshe ato që sot kanë gjithë pushtetet, për të diskutuar çështjet që kanë interes kombëtar, sepse pavarësisht ndasive opozita sot është alternativa e nesërme dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që reformat që nevojiten për procesin e integrimit” – deklaroi deputetja.
Tabaku risolli në vëmendje, problematikën e vjedhjes së votave dhe kërkoi veprime konkrete: “Shit blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje, kërkon që të tregojmë vullnetin politik jo në letër, jo me fjalë po me veprime konkrete. I kërkoj drejtuesit të SPAK, z. Dumani, përcaktimin e një Prokurori Special që do të mund të hetojë krimet zgjedhore dhe ato ndërlidhje që njollosën vendin tonë në raportet e BE”.