Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë bilancin e procesit të vetingut deri më tani. Në përfundim të këtij viti, KPK ka nxjerrë një njoftim në faqen zyrtare ku tregon se ka përmbyllur procesin e rivlerësimit për 75% të listës totale të gjyqatarëve dhe prokurorëve. Përgjatë këtij viti 118 është numri i vendimeve të marra, ndërsa që na nisja e procesit ky numër i kalon 600. Sipas njoftimit, objektivat e vendosura janë arritur.
Njoftimi i KPK-së:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka përmbyllur procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve për 75% të listës totale prej 805 subjektesh. Dymbëdhjetë anëtarët e Komisionit, në bashkëpunim me stafin mbështetës dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), kanë përparuar me procesin, duke shpallur në seanca publike, por edhe në dhomë këshillimi, 118 vendime për vitin 2022, duke arritur kështu edhe objektivat e vendosura për shqyrtimin e pjesës më të madhe të dosjeve.
Komisioni ka kryer rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me efikasitet, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke dhënë në total 604 vendime, që nga nisja e këtij procesi deri në 27 dhjetor 2022. Kjo arritje është realizuar pas shqyrtimit dhe analizimit të dosjeve voluminoze, shkëmbimit të informacioneve me institucionet ndihmëse, por edhe realizimit të hetimeve të thelluara nga Komisioni për subjektet e rivlerësimit, bazuar në kriteret e parashikuara në Aneksin e Kushtetutës dhe ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Deri në fund të procesit të rivlerësimit mbeten edhe 201 subjekte që do t’i nënshtrohen hetimit të Komisionit. Trupat gjykues janë të angazhuar të vijojnë procesin e rivlerësimit deri në përmbylljen e plotë të tij, brenda afateve të mandatit kushtetues.
Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet si një proces me rëndësi kyçe edhe në kuadër të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku organet e vettingut japin kontribut direkt për sa i përket kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”. Avancimi i këtij procesi pritet të shërbejë si një shtysë e rëndësishme në rritjen e vlerësimeve për Shqipërinë në rrugën e saj për sigurimin e një sistemi gjyqësor profesional, të pavarur dhe të pakorruptuar.