Të prodhosh sapun artizanal me përbërës organikë në Shqipëri mund të duket një aktivitet interesant, por mbijetesa në treg, sidomos në një zonë rurale, bëhet e vështirë.
Laureta Lemezhi, e cila ka ngritur dhe administron “Sapuneri ZaDream” shprehet e kënaqur që kjo punë i sjell disa të ardhura më shumë për të mbajtur familjen, por ato nuk janë të sigurta. I duhet të bëjë jashtëzakonisht shumë përpjekje për të shitur, pasi largësia nga zonat urbane është disavantazh.
Ajo nënvizon se ndihma që ka marrë nëpërmjet agroturizmit “Mrizi i Zanave” e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe pohon se një model i ngjashëm i aplikuar në shkallë më të gjerë do të ishte i suksesshëm për bizneset e vogla të kësaj natyre.
Si e keni nisur aktivitetin tuaj në “ZaDream”?
Jam një nënë në një zonë rurale dhe normalisht, punët e fshatit janë ato që kam pasur si pjesë të jetës së përditshme. Duhet thënë që janë punë të vështira dhe kur pashë mundësinë për të bërë edhe diçka tjetër, që të jep më shumë kënaqësi, m’u duk diçka shumë e mirë.
Një mision katolik italian ishte pika ku nisi rrugëtimi për mua dhe katër gra të tjera të zonës. Morëm trajnim këtu dhe në Itali për të paktën një vit për prodhimin e sapunit në formë artizanale nëpërmjet bimëve mjekësore, por edhe menaxhimin. “ZaDream” funksionon prej 5-6 vitesh.
Si ka qenë ecuria e përgjithshme e këtij biznesi të vogël tuajin dhe cilat janë sfidat që hasni?
Ecuria ka qenë e mirë, pasi falë kësaj si familje kemi disa të ardhura më shumë, që po shkojnë për shkollimin e fëmijëve. Nga pesë gra që kemi qenë në fillim, tani jam vetëm unë. Një pjesë kanë emigruar jashtë, duke kërkuar mundësi më të mirë për veten. Po përpiqem me çdo kusht ta mbaj në këmbë këtë aktivitet dhe të bind edhe fëmijët ta duan si një mënyrë për t’i mbajtur këtu në vendin e tyre. Moshatarët e djalit, që është 18 vjeç, kanë emigruar dhe nuk dua që edhe ai të largohet. Ju prodhoni produkte që kanë në bazë bimët mjekësore. Si i siguroni ato dhe sa e lehtë është për ju të depërtoni në treg për t’i shitur ato?
Fokusi ynë është të marrim bimë të vendit, të cilat nuk na mungojnë. Marrim gjithçka me faturë te njësitë që ofrojnë produktet që na nevojiten. Për disa sapunë, kemi përfshirë dhe vajin e kokosit dhe normalisht atë e marrim te bizneset që sjellin nga jashtë.
Vajrat esencialë i marrim në Koplik ose në Lezhë, sipas nevojës. Duke qenë se kemi një produkt që ka gjithçka bimore dhe pa shtesa të huaja, kostoja e prodhimit është e lartë. Edhe shitja është e vështirë. Na ka dhënë dorë bashkëpunimi me “Mrizin e Zanave” që ka funksionuar shumë mirë me të gjithë punishtet e zonë.
Na penalizon fakti që jemi në një zonë rurale dhe nuk kemi lidhje të konsoliduara me njësi të tjera në zona urban. Plus dhe konkurrenca është rritur, pasi janë hapur shumë punishte në zona më afër qyteteve të mëdha. Jam përpjekur të krijoj lidhje në të gjithë ato qendra që janë të vizituara nga turistët, si në Durrës, Krujë, Gjirokastër, por në këto ka punishte të tjera më afër dhe kanë marrëdhënie më të forta por edhe mundësi më të shpejtë për t’i marrë produktet.
Cilat janë bimët mjekësore që përdorni kryesisht te produktet tuaja dhe si kanë qenë kostot e aktivitetit në këtë periudhë?
Përdorim bimë të tilla si menteja, sherbela, livanda, rozmarina; agrumet si portokalli, shega, sipas sezonit, përshtatim edhe produktin. Përdorim gjithashtu vajin e ullirit të vendit dhe dyllin e bletës.
Produktet janë 100% bimore dhe nuk kemi pasur përshtypje negative nga përdoruesit për sapunët dhe kremin antibakterial që prodhojmë. Aktualisht, jemi të fokusuar te tregu vendas pasi jashtë edhe pse ka interes, ka kosto të lartë për ta dërguar dhe produkti bëhet i shtrenjtë. Për mua do të ishte e mjaftueshme dhe nëse do të funksiononte lidhja brenda vendit me njësi të tjera treguese. Ne jemi një biznes i vogël, që nuk i ofrohen shumë mundësi, por që produkti është i veçantë dhe ka vlera, edhe pse me kosto disi të lartë, diçka që ndodh me ato bimore.
Kostot na janë rritur me të paktën 50% që nga viti i shkuar, për të gjithë elementet përbërëse. Vaji i kokosit është dyfishuar në çmim.
Si e përballuat kohën e pandemisë, si ishte ajo fazë për biznesin tuaj që sapo kishte nisur të rritej?
Që nga fillimi i rrugëtimit na është dashur të bëjmë hap para dhe ndonjë pas, por në pandemi ndodhi që të bënim edhe 2-3 hapa pas. Sigurisht na kapi të papërgatitur dhe përveç kostos financiare të biznesit kishim edhe atë shpirtërore, sepse kemi humbur njerëz të dashur, apo edhe kufizimet shëndetësore që na solli COVID-i.
Ka qenë një periudhë shumë e vështirë që na penalizoi, por arritëm të mbijetonim. Këtë vit, i cili sërish nuk po rezulton aq i lehtë na kanë dhënë dorë klientë tanë dhe vetëm falë kësaj nuk kemi rritur çmimet.
Sa është çmimi i sapunit që ju tregtoni?
Një sapun 100 gramë kushton 300 lekë, kurse ai 60 gramë, 150 lekë. Ky është një çmim shumice dhe ne jemi munguar që ta aplikojmë për të gjithë, vetëm për t’u dhënë mundësinë ta provojnë, sepse e dimë që përshtypja do të jetë pozitive më pas dhe mund të kthehen në klientë të rregullt. Viti aktual ka qenë i plogësht por për ne, sërish është mirë për aq kohë sa arrijmë të sigurojmë diçka për familjen dhe vazhdimësinë e kësaj pune./monitor