Për të folur mbi programin e socialistëve për arsimin, kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm zhvilloi një takim me pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës. Rama vuri theksin në autonominë e Universiteteve, si një formë, sipas tij për të pasur sukses në këtë drejtim. Rama nuk nguroi edhe të thumbonte opozitën, e ndërsa shtoi se synohet që të binjakëzohen programet e universiteteve shqiptare me ato Europiane.
“Ne jemi djeg nga qulli i fryjmë kosit, se ne e dimë se si ka qenë gjendja e universiteteve dhe më pas kalojnë në kërkesa që janë mungesë naiviteti. Ajo që më bën përshtypje është se lidhja e rektorëve është direkt me ministrin. Rektori është numri 1 dhe është dhe rimëkëmbësi i qeverisë aty, flas për aspektin e zbatimit të ligjit. Ka disa çështje që janë bërë themelore, me ligjin për arsimin e lartë e kemi shtyrë shumë fort procesin për autonominë por nuk mjafto që ta shkruash pasi zbatimi është një tjetër sfidë. Autonomi në rastin e universitetit kuptohet si liri por jo si përgjegjësi, por ato janë bashkë dhe vetëm në një mënyrë të tillë mund të funksionojë.
Ajo që na shqetëson ne është se është e domosdoshme që gjërat këtu duhet të shkojnë drejt vënies në shfrytëzim të autonomisë. Unë mendoj se dy janë korsitë e ecjes një është ajo që ju thoni copëzat tuaja të shqetësimit që duhet të përkthehen në një platformë për universitetin dhe ju të kërkoni që ta hartoni dhe të kërkoni që për një dekadë do të shkoni diku dhe synime tuaja për këtë periudhë”, tha Rama nga Shkodra.
Ai ndodhet në kryeqendrën e veriut që prej ditës së djeshme ku prezantoi kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, e ndërsa pati kritika të shumta për zhvillimin e këtij qyteti e për këtë fajtore bëri kryebashkiaken Voltana Ademi, të vetmen Bashki të drejtuar nga të djathtët.