Një nga problemet e mëdha të njerëzimit për riciklimin e mbetjeve natyrore si materiale ndërtimi apo si energji të rinovueshme është trajtuar këtë të hënë nga NanoAlb, njësia më e re kërkimore në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Kjo njësi ka organizuar workshopin “NanoAlb dhe industria e ndërtimit – mundësi bashkëpunimi në fushën e nanoteknologjisë me kompaninë Zoz GmbH Gjermani”.
Akademiku Arben Merkoçi, drejtori dhe koordinatori i NanoAlb ka paraqitur linjat kryesore të kërkimit dhe zhvillimit dhe mundësitë e bashkëpunimit të ofruara nga disa prej 23 grupeve shkencore të NanoAlb në universitetet shqiptare me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Eduard Shalësi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes përgëzoi Akademinë e Shkencave për bashkëpunimin me kompaninë gjermane Zoz GmbH, pionere në fushën e nanoteknologjisë dhe inxhinierisë për teknologjitë e gjelbërta dhe të pastra.
Gunnar Lindermann, deputet i parlamentit të Landit të Berlinit përshëndeti Akademinë e Shkencave për bashkëpunimin dhe tha se ishte i gëzuar për projektet konkrete të bashkëpunimit me një kompani partnere shqiptare.
Kompania Zoz GmbH është prezente në 11 vende të botës, si furnizuese me produkte të teknologjisë së lartë dhe mbërrin për herë të parë në Shqipëri.
Prof. dr. Henning Zoz presidenti i kompanisë foli për çimentot e së ardhmes të performancës së lartë.
“Kompania jonë shpreh interes për bashkëpunime teknologjike me NanoAlb dhe vjen me projekte konkrete dhe ambicioze për Shqipërinë. Shumë shpejt do të jetë me vlerë përdorimi i teknologjive të reja të inxhinierisë dhe nanoteknologjisë për materialet e ndërtimit, të cilat do të ndihmojnë që të jenë teknologji të riciklimit të materialeve të papastra, të kthimit të tyre në energji dhe materiale të pastra, që do të jenë edhe teknologji ekonomike”, tha Prof. dr. Henning Zoz.
Temat “Lidhës pa çimento, beton i nanostrukturuar me performancë ultra të lartë” dhe “Algat detare nga mbetje natyrore në vlerë të shtuar për materialet e ndërtimit dhe mikro- e nano-produktet e ngurta për energjinë e rinovueshme”, u trajtuan përkatësisht nga prof. dr. Arjan Korpa dhe prof. dr. Kledi Xhaxhiu.
Platformat që çdo produkt të kthehet në vlerë të një energjie të rinovueshme, pa e dëmtuar mjedisin, falë zhvillimit të shkencës së nanoteknologjisë u ndoqën me interes edhe nga kompani shqiptare që operojnë në fushën e materialeve të ndërtimit dhe prodhimit, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe të Bundestagut Gjerman, si dhe përfaqësues të shoqatës gjermane të industrisë dhe tregtisë (Diha) në Shqipëri.
/Priza.al/