Projektbuxheti 2023, rritja ngadalësohet në 2.6%; 130 milionë euro taksa shtesë nga masat fiskale

Do të vihet taksë speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë…

Ministria e Financave ka publikuar projektbuxhetin e vitit 2023, i cili parashikon që për vitin 2023 rritja ekonomike të ngadalësohet në 2.6%, e ndikuar nga zhvillimet dhe pritshmëritë për ekonominë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian.

Defiçiti buxhetor për vitin 2023 parashikohet të ulet në nivelin 2.6% të PBB nga 3.3% të PBB që pritet deri në fund të vitit 2022, dukshëm i orientuar drejt financimit të investimeve publike të parashikuara për vitin 2023. Në fund të vitit 2025, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.2% të PBB duke përmbushur kësisoj objektivin madhor të Qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik.

Të ardhurat

Në vitin 2023, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 625.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 587.8 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 431.2 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 126.5 miliardë lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2023, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 7.7 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 8% ose +42.2 miliardë lekë.

Sipas relacionit, Të ardhurat tatimore dhe doganore, perfshirë edhe kontributete e mbledhura nga administrata tatimore janë parashikuar bazuar në analizën e trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë shumëvjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të jashtëm në secilën taksë.

Faktorët që janë marrë në konsideratë të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2023 janë:

Kuadri makroekonomik me rritja reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto 3.2%, inflacioni i parashikuar 3%, duke analizuar të këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta Minerare dhe Taksa Doganore. Në projeksion janë përfshirë, faktorë që lidhen me rritjen nominale e PBB-së, kursin mesatar të këmbimit EURO-Lek dhe USD-Lek, si dhe çmimet brent të naftës bruto dhe mineraleve të tjera.

Paketa e Fiskale 2023, me propozimet në lidhje me ndryshimet e bëra në kuadrin e hartimit të paketës fiskale 2023, të cilat prekin sjellin efekte në Akcizë, Tatimin mbi Fitimin, Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi dhe Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.
Të ardhura të shuara nga mirëadministrimi në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, në të cilën për një periudhë 4 vjeçare parashikohet nje rritje e të ardhurave me 1.5% PBB, e cila e për çdo vit llogaritet një rritje prej 0.37% të PBB.

Masat fiskale do të sjelinë 14.8 miliardë lekë (130 milionë euro)

Nga paketa e re fiskale pritet që buxheti të arkëtojë 14.8 miliardë lekë (130 milionë euro) më shumë.

4.5 miliardë lekë është efekti i paketës së re fiskale.

2 miliardë lekë janë të ardhurat e pritshme nga lojërat e fatit. Nga miratimi në ligj i lojrave të fatit ‘baste sportive’, me efekt nga 1 janari 2023, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë.

Ndërsa pjesën tjetër të të ardhurave pritet ta sjellë Taksa speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë. Sipas relacionit, fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjate vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33 %. Të ardhurat e pritshme vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë.

Shpenzimet

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2023 është planifikuar 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB.

Investimet Publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6% e PBB ose 122.24 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2023 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2022, dhe në vitin 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Për planifikimin e investimeve janë ndjekur kriteret e mëposhtme:

Prioritetet e Programit të Qeverisë për periudhën 2021–2025;
Prioritetet e integrimit europian;
Projektet në vazhdim.

Deficiti

Defiçiti buxhetor për vitin 2023 parashikohet të ulet në nivelin 2.6% të PBB nga 3.3% të PBB që pritet deri në fund të vitit 2022, dukshëm i orientuar drejt financimit të investimeve publike të parashikuara për vitin 2023. Në fund të vitit 2025, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.2% të PBB duke përmbushur kësisoj objektivin madhor të Qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *