Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me projektligjin e buxhetit 2023, të prezantuar nga qeveria disa ditë më parë.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se qeveria po tregohet arrogante dhe po shkel ligjin, pasi pritet të miratojë një buxhet ku të ardhurat që do të rriten do të vijnë nga bastet sportive.
Sakaq theksoi se nuk mund të miratohet nj buxhet pa u diskutuar ligjet fiskale.
“Në një vit krize, qeveria ka aq arrogancë sa nuk përfill Parlamentin e shkel ligjin duke mos i sjellë këto dokumentet në Parlament. Qeveria nuk ka miratuar ligjet fiskale e miratojnë buxhetin. Deputetët nuk mund të trajtohen si noterë e të shpërfillet puna e tyre.
Sot qeveria ka sjellë një buxhet ku të ardhurat do rriten me rreth 10 përqind e një pjesë e madhe parashikon të vijnë nga ligji për bastet që nuk ka ardhur në Parlament. 130 mln euro taksa të rritura që qeveria nuk ka sjellë ligjet në Kuvend e nuk i ka miratuar akoma.
Kjo që po ndodh në Komisionin e Ekonomisë është anti-Kushtetuese. Nëse mbledhja nuk anulohet e nuk përsëritet do çojmë buxhetin në Gjykatë Kushtetuese. Nuk mundet në një vit kaq të vështirë krize qeveria të jetë kaq arrogante sa ta marrë për të mirëqenë punën e deputetëve, nuk ka ndodhur asnjëherë që kur kam hyrë në parlament që buxheti të diskutohet pa ligjet fiskale. E thonë një sërë ligjesh e rregullash që i japin vlerë parlamentit për të diskutuar buxhetin, kjo shkelje është një nga arsyet që qeveria e konsideron atë si një vartës të tij”, tha ajo.