Ministri Mbrojtjes Niko Peleshi i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare deklaroi sot se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2023 është 116.6% më i lartë se buxheti i vitit 2013.
Gjatë fjalës së tij në diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023” të Ministrisë së Mbrojtjes, Peleshi tha se drejtimet e rëndësishme mbi të cilat do të fokusohet puna e strukturave të MM, janë ristrukturimi i Forcave të Armatosura, përmirësimi i kapaciteteve operacionale, ringritja e sistemit të arsimimit ushtarak si dhe përsosja e stërvitjes, infrastrukturës dhe modernizimi.
Më tej ai ka shtuar se rritja e pagës 30 % është për të ndihmuar ushtarakët. Nuk është indeksim por, është rritja më e madhe historike për të gjithë ushtarakët tanë, nga ushtari bazë deri tek gjenerali. Përsa i përket objektivit të NATO-së ku 2% e GDP-së të shkojë për mbrojtjen, Peleshi tha se kjo duhet arritur brenda 2024 dhe 20% e totalit të shpenzimeve duhet të shkojnë në pajisje kritike dhe modernizim.
“Buxheti i MM në vitin 2023 është 116.6% më i lartë se buxheti i vitit 2013 dhe 261.2% më i lartë në shpenzimet kapitale. Pra investimet krahasuar me 2013-ën janë 2.5 herë më të larta në këtë buxhet.
Në buxhetin e parashikuar gjatë viteve buxhetore 2023-2025, pra në buxhetin afat-mesëm, MM synon zhvillimin e politikave të nevojshme në fushën e personelit, të promovimit të karrierës, të trajtimit të ushtarakut, të rritjes së transparencës, llogaridhënies, modernizimit të FA dhe plotësimit të objektivave të kapaciteteve të NATO-s. Këtë vit jemi 1.85% me këtë buxhet, 29% e të cilave do të jenë në investime. Pra objektivi ose angazhimi i dytë i përqindjes që duhet të shkojë për modernizim që është 20%, ne e kemi arritur dhe tejkaluar është 29%. Por na duhet që 1.85% të GDP-së që kemi këtë vit ta çojmë në 2% në 2024-ën. Kemi parashikuar në buxhetin afat-mesëm që në 2024-ën të shkojmë në 2.1% në fakt, që është 0.1% mbi angazhimin që kemi në NATO dhe 21.2% të të cilave do të jenë për investime në 2024-ën, sipas projeksionit të sotëm. Ndërsa në vitin 2025, do të arrijmë në 2.21%.
Nga korriku i këtij viti pagat e të gjithë ushtarakëve, nga ushtari bazë dhe deri tek gjeneralët janë rritur me 30%. Ka qenë një masë e duhur. Natyrisht që kjo rritje nuk ishte vetëm për një vit, është e vazhdueshëm, kështu që është mbuluar në buxhet gjatë vitit 2023 e në vazhdim. Për shpenzimet në mbështetje të plotësimit të objektivave dhe kapaciteteve, mbështetet financiarisht plotësimi i kapaciteteve operacionale të deklaruara në NATO nëpërmjet modernizimit të FA rreth 13.8 miliardë lekë, ose 51% e shpenzimeve kapitale dhe 22.3% e totalit të shpenzimeve të vitit 2023. Pra, një pjesë të madhe të buxhetit po e kalojmë drejt objektivave të kapaciteteve të deklaruara në NATO.
Garantohen kapacitetet e reja për teknologjitë e informacionit dhe mbikëqyrja nëpërmjet blerjes së dronëve, të shërbimit satelitor dhe mbrojtjes kibernetike. këto shkojnë në vlerë 1.4 miliardë lekë”, deklaroi Peleshi.