Në fund të vitit të shkuar qeveria miratoi një listë me 209 prona që do të kalonin në fondin e atyre që përdoren për investime strategjike e në këtë rast për projektin 2 miliardë dollar në Durrës. Sipërfaqja në pikën 1 të vendimit ishte 80.9 hektarë. Por me një rishikim të vendimit të dy ditëve më parë qeveria ka ndryshuar listën fillestare të pronave duke hequr disa prej tyre dhe duke shtuar të tjera. Në finale rezulton se për projektin Durrës Yacht & Marina do të kalojë më shumë tokë shtetërore dhe mbi të gjitha është zgjeruar edhe sipërfaqja ndërtimore në raport me vendimin e mëparshëm me 13.3 pwr qind.
Në vendimin e publikuar në QBZ thuhet “Në pikën 1, fjalët “…me sipërfaqe totale 812 600.98 m2 (tetëqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind pikë nëntëdhjetë e tetë), nga të cilat 54 217.51 m2 (pesëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e një) sipërfaqe ndërtimore…” zëvendësohen me “…me sipërfaqe totale 818 318.98 m2 (tetëqind e tetëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëmbëdhjetë pikë nëntëdhjetë e tetë), nga të cilat 61 450.51 m2 (gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë pikë pesëdhjetë e një) sipërfaqe ndërtimore”.
Po kështu hiqen nga lista e fondit të transferuar tre pasuri nr. 17/3, 17/10, 17/56 dhe shtohen 22 të tjera ku për 5 prej tyre nuk ka informacion se kush është pronari pasi në rastet e tjera specifikohet “Republika e Shqipërisë, në administrim APD”. Një tjetër korrigjim që bëhet me vendimin e ri është emri i investitorit duke kaluar nga “Symphony Real Estate Development” sh.p.k. që ishte më herët tek “Eagle Hills Real Estate Development” sh.p.k sipas një transaksioni të regjistruar kohë më parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Projekti i Marinës së Durrësit është klasifikuar si investim strategjik duke përfituar pronën për të kryer investimin përmes një marrëveshjeje me qeverinë por mbetet ende e paqartë se cili do të jetë fitimi real i shtetit në këtë marrëdhënie. Gjatë muajve të verës punonjësit e kompanisë kontraktuese bënë të ditur se shumë shpejt do të bëhej prezantimi i projektit dhe do të niste shitja e apartamenteve.
Projekti i Durrës Marina & Yachts
Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin. Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit. Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.
Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet por akoma e sot nuk ka asnjë transparencë mbi përfitimet reale të shtetit shqiptar.