Kryeministri, Edi Rama ka qenë i pranishëm këtë të martë në Ndroq, ku inauguroi 74 banesa të reja, të rindërtuara pas tërmetit.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se 300 banorë do të strehohen në banesat e reja, pasi i humbën të tyret për shkak të tërmetit të vitit 2019.
“Përtej këtyre shakave dua realisht që t’ju uroj çdo të mirë sot dhe më vjen mirë që afro 300 banorë të tjerë do të hyjnë në këto shtëpi. Nuk janë thjeshtë strehë, por banesa në një komunitet njësoj si resortet e atyre që janë më të kamur. Shumë shpejt do të keni edhe qendrën shëndetësore këtu, edhe kopshtin, çerdhen.
Patjetër keni edhe tokën aty ku e kishit në shtëpitë që iu prishën. Ajo është toka jua. Pra, ajo fjala që ne e patëm thënë besoj se sot është fakt që nga tërmeti, i cili dëmtoi shumë rëndë një pjesë të madhe të banorëve dolëm më të fortë. Të gjitha familjet që humbën shtëpitë, sot janë më të pasura”, tha Rama.