Ministria e Brendshme ka hartuar disa ndryshime në ligjin për shtetësinë, që i lejon të huajt të pajisen me shtetësinë shqiptare. Një prej propozimeve që janë dërguar për konsultim publik, ka të bëjë me fëmijët e porsalindur. Kjo mund të arrihet vetëm në rastin kur dy prindërit e huaj, japin pëlqimin që fëmija të pajiset me shtetësinë shqiptare.
Një tjetër ndryshim është dhe heqja e kriterit kufizues të moshës 18-vjeç për përfitimin e shtetësisë shqiptare. Kjo do të bëhet e mundur kur i riu nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të vendit, por edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Shtetësia e personave që nuk kanë mbushur moshën 18-vjeç mund të fitohet vetëm me pëlqimin e të dy prindërve apo kujdestarit ligjor.
Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, këto ndryshime ligjore kanë për qëllim që Shqipëria të përthithi sa më shumë talente nga fusha të ndryshme që nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Një ndër propozuesit kryesor të ndryshimeve ligjore është Federata Shqiptare e Futbollit. FSHF është e mendimit se vendosja e kriterit “që të ketë mbushur moshën 18 vjeç”, sjell një kufizim të madh në drejtimin e kërkimit, zbulimit të talenteve të reja (jo me shtetësi shqiptare) për dhënien e kontributit të tyre në skuadrat e kombëtares shqiptare.
Miratimi i këtij projektligji nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit, përkundrazi do të ketë efekte financiare pozitive nga të ardhurat që do të mblidhen nga tarifa që aplikohet për shtetësinë.