Juventusi vazhdon që të humbasë miliona me thasë, 250 të tillë vetëm në sezonin e fundit… Dhe duke parë se edhe në këtë sezon vështirësitë janë shumë të mëdha nëse situata nuk ndryshon, titulli kampion do të shihet sërish me dylbi.
Për këtë arsye, në Torino kanë planifikuar që të ulin ndjeshëm rrogat, por në të njëjtën kohë do të ketë edhe disa largime të lojtarëve në skadencë kontrate, për të mos thënë që ndonjë nga ata mund të nxirret në merkato që në janar, për të arkëtuar sado pak miliona euro për të mbushur arkat.
Pas Paulo Dibalës edhe emrat e vënë në listën “e zezë” janë ndër ato që kanë bërë një epokë jo të shkurtër te “Zonja e Vjetër”, por kriza dhe ideja për të rinuar skuadrën e detyron këtë zgjedhje të vështirë.
I pari dhe ai që është më shumë sesa i sigurt që do të largohet, madje duke u tentuar që të shitet në merkaton e dimrit është Aleks Sandro. Mbrojtësi i majtë brazilian ka që nga viti i finales së Champions-it me Realin e Madridit në 2017-ën që ka humbur totalisht, prandaj Juvja nuk i përballon më dot 6 milionët e tij çdo vit, për t’i ofruar rinovimin.
Adrian Rabio është gjithashtu një emër që i ka zeruar të gjitha bonuset që kishte për të treguar se ishte një lojtar për “Zonjën e Vjetër”.
Portieri i tretë, Karlo Pinsoljo, edhe pse ka një rrogë prej vetëm 300 mijë eurosh në vit, gjithashtu do të largohet, duke qenë se i skadon edhe kontrata.
Gjithsesi, humbja më e dhimbshme do të jetë ajo kundrejt Huan Kuadrados, një futbollisti fantastik, që për 7 vite ka qenë i pazëvendësueshëm për ngjyrat bardhezi, por në këtë sezon të ri, ka lënë për të dëshiruar. Forma e tij është në rënie, por ndoshta më shumë ka të bëjë me faktin se Juventusi nuk i ofroi rinovim kontratë, por fitoi vitin e fundit që ia garantonte një klauzolë në marrëveshjen e mëparshme. Madje që tani kanë nisur zërat e një transferimi tek Interi.
Edhe Angel di Maria do të përshëndesë në verën e ardhshme, siç thekson kontrata e tij. Argjentinasi ka humbur shumë pikë me kartonin e kuq ndaj Monzës dhe gjesti nuk i ka pëlqyer aspak Anjelit.
Dhe në fund, edhe Leandro Paredes nuk dihet nëse do të konfirmohet. Argjentinasi vërtet ka pasur një impakt të mirë, por cilësi nuk ka shtuar aq sa pritej. Ndoshta për Paredesin do të pritet që të shihet në aksion me Pol Pogbanë, për të marrë një vendim final.