Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të dënuar me 40 orë punë publike poeten Mimoza Ahmeti, e cila akuzohet për ndërtim pa leje në banesën e saj.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama me ironi shkruan se pas këngëtarit dënohet edhe poetja për ndërtim pa leje. Më tej ai ka theksuar se në prokurori flenë me dhjetëra dosje denoncimesh të bëra nga autoritetet shtetërore për ndërtime të paligjshme në Tiranë.
“Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!
Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike!
Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët”, shkruan Rama.