Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar se ka kërkuar 30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit në rastin e vrasjes së 89-vjeçarit Sadri Sadriu në një dasmë në Ferizaj.
Prokuroria ka zbuluar se vrasja ndodhi më 16 gusht 2024, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”. Sipas hetimeve, Festim Ramadani, një polic i jashtë shërbimit, ka qëlluar disa herë ndaj Sadri Sadriut me armën e shërbimit, ndërsa i dyshuari tjetër, J.M., ka sulmuar me një send të fortë.
Ngjarja ka ndodhur në një moment kur në sallën e dasmave kishte shumë të pranishëm, dhe për shkak të të shtënave janë rrezikuar edhe persona të tjerë.
Prokuroria nuk jep ndonjë shkak se përse ka ndodhur vrasja por thotë për motive të ulëta.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve Festim Ramadani, dhe J.M., për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri Festim Ramadani, për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri Festim Ramadani, me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria e Ferizajt.