Prokuroria Publike e Shkupit të martën ka ngritur aktakuzë kundër kardiokirurgut të njohur maqedonas, Zhan Mitrev, dhe spitalit të tij Filipi i II, për veprën penale “mashtrim”.
Vendimi i Prokurorisë bazohet në një hetim, pas publikimit të një hulumtimi të rrjetit IRL, se metoda e aplikuara nga spitali privat i Zhan Mitrevit ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar këtë metodë pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.
Nga aplikimi i kësaj metode të jashtëligjshme për personat e sëmurë me COVID-19 besohet të kenë humbur jetën 24 persona.
Sipas organit të ndjekjes penale, kjo metodë në këtë spital është aplikuar në periudhën nga prilli 2020 deri në vitin 2022, me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare.
Për këtë vepër, Mitrev mund të dënohet nga një deri në 10 vjet burgim.
Hemofiltrimi përdoret në botë, por jo si metodë alternative e trajtimit. Megjithatë, sipas Prokurorisë, Mitrev i ka mashtruar pacientët duke përfituar mjete financiare në kundërshtim me ligjin, në vlerë prej 1.6 milion euro.
Nëse shpallet fajtor, Mitrev duhet të kthejë këto para pacientëve të dëmtuar apo familjarëve të tyre që kanë ndërruar jetë.
Kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup kanë ngritur edhe familjet e tetë personave që kanë humbur jetën, në mesin e të cilave edhe familje nga Prishtina.
Por, kardiokirurgu ka hedhur poshtë akuzën duke theksuar se ka punuar për të mirën e qytetarëve prej 22 vjetësh, duke ofruar shërbime të certifikuara me standarde botërore.
“Shihemi në gjykatë. Kjo është përgjigja jonë ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen penale të Zhan Mitrevit për mashtrim. Këto sulme të pabaza do të duhet të provohen në gjykatë dhe do të jetë e vështirë të provohet sepse e vërteta është se asnjë pacient nuk është mashtruar dhe të gjitha trajtimet dhe proceset në spital kanë qenë publike dhe transparente dhe në interes të pacientëve. Me këtë do të bjerë në gjykatë edhe vetë akuza e Prokurorisë Publike”, thuhet në reagimin e spitalit të Zhan Mitrevit./REL/