Prokuroria e Tiranës nis hetimin për ‘Fondi Besa’? Dyshohet si ‘blerësi’ i data-bazës së të dhënave personale

Skandali më rrjedhjen e të dhënave personale të mbi 680 mijë shqiptarëve tashmë nuk ka vetëm autorët e krimit të nxjerrjes së tyre. Shumë shpejt duket se do të dalin edhe emrat e porositësve dhe blerësve të vërtetë të këtyre të dhënave, si dhe qëllimi për të cilat do të përdoren ato.

Burime nga Prokuroria e Tiranës i thanë sot “Priza.al” se, pasi autorët e kësaj vepre të rëndë penale kanë pranuar që të bëhen “bashkëpunëtorë të drejtësisë”, çka nënkupton gjykim të shkurtuar dhe masa lehtësuese për ta, ata kanë filluar që të nxjerrin në dritë emrat e subjekteve dhe personave që kanë ofruar shuma të majme parash për t’i pasur në dorë këto të dhëna.

Sipas burimeve nga Prokuroria: “nga ato që kanë deponuar të akuzuarit e këtij skandali, në lojë si ofertues janë rreth 5 kompani apo subjekte private financiare jobankare, të sektorit të mikrokredisë. Këto të fundit kanë ofruar shuma të mëdha parash për të pasur të dhënat personale të shtetasve të deklaruar në tatime dhe ISSH-ë, si punonjës të sektorit privat ashtu dhe shtetërorë”.

Sipas burimeve, emrat e disa prej këtyre subjekteve janë po ato që prej rreth një viti “Priza.al” ka denoncuar hapur me fakte, prova dhe dëshmitarë, se kanë ngritur në këmbë një skemë gjigante mashtrimi dhe keqpërdorimi nëpërmjet të dhënave personale, duke bërë që të ngrihet në këmbë një rrjet fiktiv kredish dhe mikrokredish bankare.

Është fjala për disa subjekte private IFJB-ë që operojnë prej vitesh në tregun shqiptar në sektorin e mikrokredive, duke bërë që shumë qytetarëve, subjekteve apo familjeve t’u barten kredi të pa marra realisht duke i kredhur në borxhe dhe më tej duke u zhvatur deri me forcë prona, para apo edhe asete të tjera.

Sipas burimeve të mësipërme nga Prokuroria e Tiranës, është “Fondacioni Besa” ai që kryeson këtë listë dhe që “është vënë tashmë prej kohësh nën hetim nga prokuroria, edhe pse disa çështje të ngritura rreth këtij institucioni janë mbyllur më herët”.

Burimet i thanë më tej “Priza.al” se: “Grupi i prokurorëve që po heton këtë veprimtari dhe që po kalon në shqyrtim provat dhe faktet e shumta, është përballur me një presion të jashtëzakonshëm deri politik, për të ndërprerë këtë veprimtari ose për të ndikuar në ndryshimin e provave”.

Po ashtu, burimet thanë më tej se: “Shumë emra dhe veprimtari të IFJB-ve nën hetim kanë bashkëpunim me subjekte dhe banka të huaja, kryesisht nga vende të Lindjes, të cilat janë futur si aksionerë apo kanë investuar para të shumta nëpërmjet këtyre institucioneve për pastrim në tregun shqiptar. Për këtë aktivitet pranë Prokurorisë dhe prokurorëve janë interesuar për informacione edhe diplomatë të huaj të vendeve kryesore Perëndimore, por deri tani komunikimi me grupin e prokurorëve shqiptar ka qenë thuajse i pamundur”.

Nisur nga sa më sipër, “Priza.al” rikujton edhe një herë lexuesin e saj se kanë qenë të parat dëshmitë për “Fondin Besa” ato që kanë nxjerrë në dritë skemën e mashtirimit dhe të përvetësimit të të dhënave që bëhej midis disa bankave private në vend dhe IFJB-ve, ku viktimë e këtyre mashtrimeve mbeteshin qytetarët më të vobektë dhe të painformuar.

Pse kanë qenë të interesuar rusët për të blerë të dhëna

Marrjen e të dhënave personale të shqiptarëve, kryesisht të atyre financiare apo deri tek të dhënat për automjetet, nuk e kanë dashur vetëm “Fondi Besa”, “JuteCredit”, “NOA” apo edhe kompani të tjera mikrofinance që tani janë vënë nën hetim.

Duket se interesimi për këto të dhëna sensitive ka qenë edhe më i madh, referuar informacioneve që deri tani autorët e vjedhjes së tyre kanë dhënë për prokurorët që po i hetojnë.

Në lojë për blerjen e këtyre të dhënave, por nëpërmjet IFJB-ve ku dhe kanë investuar para të shumta për pastrim, janë shumë aksionerë të huaj, një pjesë me origjinë nga Rusia, Moldavia, Billorusia dhe Izraeli.

Një nga emrat e parë që doli për interesimin dhe blerjen e këtyre të dhënave, ishte ai i biznesmenit dhe miliarderit rus, Oleg Boyko, që si për çudi flitet të jetë edhe bashkëpunëtor i shërbimeve inteligjente ruse.

Skandali me pagat, një nga blerësit e databazës punoi për

(Biznesmeni rusi Oleg Boyko)

Por edhe të tjerë emra aksionerësh të lidhur me fondacionet apo IFJB-të e tjera, me origjinë nga Lindja dhe vendet balltike, janë po ashtu ish-agjentë ose agjentë aktual të shërbimeve sekrete ruse.

Kjo gjë, rrjedhimisht të bën të mendosh se një grup individësh të vënë në shërbim të strukturave ruse të inteligjencës, janë duke investuar para në ngritjen e një skeme gjigante mashtrimi financiar në Shqipëri, që për qëllim ka krijimin e trazirave financiare të ngjashme me “Piramidat” e vitit 1997.

Aktualisht është tepër e vështirë që nga Prokuroria e Tiranës të marrësh emra personash shqiptar ose të huaj, por mediat e rajonit dhe kryesisht ato investigative kanë nisur sërish që të rimeren me këtë çështje, të hapur prej 1 viti tashmë nga “Priza.al”.

Pse nuk po merret SPAK me hetimin e “Fondit Besa” dhe IFJB-ve?

Në Prokurorinë e Tiranës po të pyesësh mbi skandalin e të dhënave personale të shqiptarëve, të thonë se “ishte një mal i madh që SPAK-u dhe Prokuroria e Përgjithshme e lanë në derë të asaj të Tiranës”. Kjo me sa duket për shkak të rëndësisë por edhe përgjegjësisë së lartë që ka kjo çështje.

Kujtojmë se edhe më parë kundër “Fondit Besa” janë ngritur edhe padi nga shtetas të ndryshëm për mashtrim ose zhvatje, si dhe një padi në të gjitha instancat për vjedhjen e të dhënave personale të një kredimarrëseje nga oficerja e “Fondit Besa” në “e-Albania”.

Por të gjitha këto çështje më parë janë pezulluar ose shtyrë nga prokurorë të caktuar të Prokurorisë së Tiranës, për “mungesë provash” ose “pasaktësi”.

“Priza.al” i ka denoncuar këto fakte me emra dhe me dëshmi, por deri tani organet e Vettingu-t, dhe ato të drejtësisë së re, nuk i kanë marrë në shqyrtim me gjithë bashkëpunimin e ofruar nga redaksia jonë, që si e vetmja media që e ka denoncuar këtë mega-skandal pa u bërë pjesë e gjobave dhe reklamave, është shprehur e hapur për të vënë në dispozicion të ligjit provat që disponon.

Në ditët në vijim, “Priza.al” do të sjellë të tjera fakte, prova dhe emra që e lidhin të gjithë këtë mega-skandal me atë që ne kemi denoncuar më herët, skandalin e kredive të rreme që ka bërë viktima dhjetëra mijëra shqiptarë.

Vijon…

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *