Zyra e Prokurorisë Speciale vijon të paraqesë prova që sipas saj e inkriminon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në krime kundër njerëzimit.
“Viktimat u keqtrajtuan nëpër stalla kafshësh me urdhër të Shtabit të UÇK-së”, thanë ato. Prokuroria listoi disa vendndodhje para trupit gjykues, tek të cilat dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me lejen dhe udhëheqjen e të akuzuarve.
“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u maltretuan fizikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike ose etnike. Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore. Pra, ishin të zgjeruara, pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha nga ZSP-ja.
Transferimi dhe keqtrajtimi i disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës u krye me vendim dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në Jabllanicë, ku siç është në aktakuzë, në prill të 1998-s dhe korrik të 1998-s, u mbajtën 13 persona në periudha të ndryshme kohore. Në këtë vend, ku shfrytëzohej si kazermë ishin 3 të vrarë dhe 1 i zhdukur me forcë. Të akuzuarit vizituan Jabllanicën. Të paktën 4 viktima që ishin mbajtur, njëri prej tyre ishte pronar i një dyqani, e një i ri donte të kyçej në UÇK. Si pasojë e rrahjeve, njëri s’mund të merrte frymë mirë, e tjetri ishte ënjtur. Ata u akuzuan si kolaboracionistë dhe spiunë”, u lexua në provat e ZPS-së.
Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”.