Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj ka thirrur këtë të hënë në interpelancë ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Xhaferaj pohoi se pronat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po jepen për projekte turistike.
“Prej një kohe të gjatë në media janë publikuar artikuj ku shprehet shqetësimi për dhënien pa kriter të territorit të bazave luftarake për projekte turistike dhe më gjerë. Gjithçka ka nisur më Janar 2016, me urdhrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nr. 78, të datës 26.01.2016, “për ngritjen e grupit të punës për vlerësimin e pronave të Forcës Detare”, si edhe VKM nr. 220, datë 21.3.2017, VKM Nr. 562, datë 29.07.2016 dhe VKM nr. 514, datë 01.07.2020.
Nisur nga me sipër do te doja informacione dhe shpjegime nga Ministri i Mbrojtjes per 4 prona strategjike për Shqipërinë dhe për NATO-n, sa me poshtë:
- Cili është statusi i pronës nr. 1018, ish-venddislokimi i Shtabit të Vjetër të Bazës Ajrore Kuçovë, Berat të dhënë me qira me VKM Nr. 562, datë 29.07.2016 në përputhje me listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm në vitin 2014?
- A vijon të jetë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm në vitin 2014 prona nr. 1311 “Ish Baza Ndihmuese”, Shëngjin Lezhë?
- A është ndjekur procedura e parashikuar nga Ligji nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” për dhënien me qira të sipërfaqes së Bazës Detare Sarandë,pronë në listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm i FA në vitin 2014(Prona nr. 696 “Baza Ndihmuese”, Limion, Sarandë me sipërfaqe 39446 m2)?
- A ka patur në Ministrinë e Mbrojtjes shkelje ligjore (Ligji nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”) në administrimin e pronave në listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm i FA në vitin 2014 dhe nëse po, cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave që kanë shkelur ligjin?
Të dashur qytetarë në këto video të shkurtër do shikoni kryeministrin Rama që na thotë se çdo të bëjë NATO në Kuçove. Pra, ky është Rama i retorikes dhe televizionit. Mbas fjalës se ministrit unë do te paraqes fakte se çfarë ka bërë në realitet Rama bashkë me çetën e tij të rilindjes në pronat e bazave ushtarake detare dhe ajrore”, tha ai.