Kryeministri Edi Rama tha se askush prej qytetarëve nuk e ndjen rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke shtuar se 80 % të çmimit të energjisë e paguan qeveria e 20 % e paguajnë vetë qytetarët.
Gjatë takimit të tij në Fier, Rama foli edhe për kërkesat e pedagogëve për paga më të larta, për të cilat thotë se janë të tepruara, pasi sipas tij ata janë më të favorizuarit nga qeveria.
Më tej ai shtoi se në këtë kohë duhet t’u kushtohet më shumë rëndësi pensionistëve e shtresave në nevojë, duke shtuar se ata do ta marrin bonusin e Vitit të Ri që në fillim të dhjetorit që të mos rrijnë të tmerruar nga inflacioni në rritje.
“Askush nga ju nuk e ndien krizën e energjisë, sepse këtu 80 % ua paguan qeveria, vetëm 20 % paguani vetë. Përralla se ne kemi ujë, e nuk kemi nevojë për të tjerët. Këto vijnë nga këto burime që ushqejnë injorancën. Ne prodhojmë 75% në ditët më të mira. 25 % duhet të dalim e t’i blejmë në tregun ndërkombëtar ku përballemi me çmime katastrofike. Nëse ne do të kishim rritur edhe energjinë, bizneset do i kishin rritur edhe më shumë çmimet e ushqimeve, duke barazuar vendet e rajonitm ku çmimet janë tejet të larta. Skavica është në rrugë për t’u ndërtuar dhe bashkë me Hec-et lundruese ne për një perudhë do të arrijmë që të mos blejmë më energji, por vetëm të shesim. Nuk kemi bërë atë që pensionistët meritojnë, sepse nuk ka qeveri që e bën, por kemi bërë aq sa kemi mundur. Ne do u japim bonusin e posaçëm në villim të dhjetorit, që ta kenë për vitin e ri e të mos jenë të tmerruar nga inflacioni.
Pedagogëve ju është rritur paga më shumë, me 7%, siç ju rrit gjithë administratës. I rritën edhe nga vetja 8% dhe vajti 15 %. Edhe kërkojnë më tepër. Si mund të kërkohet kjo. Në një kohë që ata marrin rritjen më të madhe e të kërkojnë më tepër në një kohë që ne duhet të luftojmë për rritjen e pensioneve të pensionistëve dhe pagave të zjarrfikësve. Gjërat bëhen sipas mundësive. Puna kërkon kohën e vetë. Shiheni se çfarë kemi bërë në Fier, edhe prap ka nevojë për ndërhyrje. Atëherë si i bëjmë? Vetëm duke bërë punët e duhura, duke qenë të vetëdijshëm që jo çdo gjë e bëjmë mirë”, është shprehur Rama