Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkeled Alibeaj në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ka folur për projektligjin për deklasifikimin e dosjeve të komunizmit. Sipas tij, vendi duhet të ndahet nga e shkuara komuniste, pasi ky është edhe një qëllimet e Partisë Demokratike.
Më tej Alibeaj shprehet se në këtë këtë projektligj duhet të përjashtohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet mes shteteve dhe cënojnë sigurinë kombëtare të vendit.
“Diskutimi për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, apo sic njihet në opinionin e gjërë publik hapjen e dosjeve, ka qenë i pranishëm gjatë këtyre 31 viteve në tryeza të ndryshme të debatit publik, dhe është kthyer gjithnjë si një nevojë, mision dhe objektiv i parealizuar. Kuvendi i Shqipërisë ka bërë disa përpjekje në këtë drejtim, përfshirë edhe nismën ligjore më të fundit, përkatësisht ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, megjithatë këto përpjekje kanë rezultuar të pamjaftueshme për realizimin e zbardhjes tërësore të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Për shumëkënd, hapja e dosjeve ka qenë një diskutim i parakohshëm, që mund të krijonte trazira a konflikte sociale, që mund të shtynte qytetarët drejt hakmarrjes apo shpagimit. Këto arsyetime mund të përmbanin të vërteta të caktuara, por eksperienca 31-vjecare e shtetit postkomunist shqiptar, na ka treguar se shqiptarët nuk kanë kërkuar hakmarrje a shpagim, nuk kanë krijuar trazira a konflikte sociale, por kanë shfaqur një interes permanent për të ditur të vërtetën.
Nga ana tjetër, megjithë problemet e shumta të shtetformimit dhe konsolidimit të institucioneve, sot Shqipëria është një vend anëtar i Këshillit të Evropës, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Këto përparime thelbësore janë një tregues i rëndësishëm se Shqipëria dhe qytetarët e saj janë gati për t’u përballur me të vërtetën historike të tyre përgjatë 45 viteve të regjimit komunist. Mësimi i të vërtetës iu shërben jo vetëm atyre që kanë qenë drejtpërdrejtë subjekte të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, por cdo qytetari shqiptar që kërkon të njohë dhe kuptojë historinë e vendit të tij, së bashku me personazhet e tij. Mjetet dhe mekanzimat ligjore që janë sot në dispozicion, nuk janë të mjaftueshëm për realizimin e këtij qëllimi.
Prandaj, ne, një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, forcës politike që lindi më 8 dhjetor 1990, pikërisht si nevojë jetike për t’i dhënë fund regjimit komunist, kanë paraqitur këtë nismë ligjore, me qëllim që cdo qytetari t’i jepet e drejta dhe mundësia për të njohur historinë e regjimit komunist, deri në skutat më të errëta të saj, që mishëron më së miri nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ky projektligj është në harmoni të plotë me ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, dhe synon një zgjerim thelbësor të tij, në mënyrë që e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe cdo qytetar tjetër i interesuar. Po ashtu, ky projektligj është në harmoni me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar, vecanërisht nenin 13, paragrafi i kartërt, i cili përcakton se “Në raste të vecanta, informacioni i klasifikuar, mund të deklasifikohet kur publikimi i tij diktohet nga interesa shtetërorë më të rëndësishme se nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar.”
Në këtë rast është e qartë se e drejta, interesi dhe mundësia për të mësuar të vërtetën historike të Shqipërisë së viteve 1944 – 1991, prevalon mbi nevojat që mund të ketë shteti për ta mbajtur këtë informacion të klasifikuar. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë treguar mjaft të kujdesshëm duke përjashtuar nga aplikimi i kësaj dispozite, ato dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare. Pra, zbardhja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të cënojë në asnjë rast marrëdhëniet që Republika e Shqipërisë ka ndërtuar me shtetet e tjera, si dhe do të sigurojë ruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ky përcaktim është dëshmi e përgjegjshmërisë së lartë të ligjvënësve gjatë hartimit të projektligjit, si dhe vjen në harmoni me përcaktimet e bëra në nenin 33 të ligjit nr. 45/2015, sa i përket kufizimeve mbi të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kur ato lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë kombëtare”, tha Alibeaj.