Në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, deputeti i PS-së, Erion Braçe propozoi që të hiqet TVSH-ja për mëshqerrat që vijnë nga jashtë, pasi sipas tij do ti jepte një shtysë fermerëve për mbarështimin e tyre.
Po ashtu Braçe nënvizoi faktin se me ullirin në vend po përballet me problemin e grumbullimeve.
“Kam dy gjëra për këtë projektligj, referuar propozimeve që ka bërë Këshilli i Agrobiznesit, por dhe ato që kemi diskutuar, vazhdoj të insistoj te skema e TVSH për bujqësinë. Është skemë që siç edhe thonë grupet e interesit, shoqata që mbledh biznesin, ka dëmtuar rëndë sektorin e përpunimit. Çfarë propozohet aty që vjen e propozuar vit për vit, se pari; të rikthehet skema e autofaturimit, të kreditohet TVSh, dhe mos të rimbursohet TVSh. Është një gjë që i ofron grumbulluesve që të jenë të interesuar për të grumbulluar dhe përpunuar produktin vendas. Ajo që po ndodh në këto momente me ullirin i ka të dyja aspektet edhe informalitetin, edhe me faktin se nuk grumbullohet dhe ka ngelur nëpër pemë. Kam një propozim që lidhet me kafshët, kryesisht mëshqerrat e mbarsura. Cili është problemi? Po e humbim numrin e lopëve vit për vit. Për të dhënë një stimul, duhet të përjashtojmë nga TVSH mëshqerrat e mbarsura. Ato vijnë në muajin e 7 në Shqipëri, i nënshtrohen një vlerë të shtuar në doganë. Janë të mbarsura apo jo, do pjellin apo jo…do kthehet pas, dhe së dyti paguajnë një çmim tjetër TVSH. TVSH e llogaritur mbi të, dhe garancia, është kosto e madhe për gjithsecilin nga këta importues për një mëshqerrë. Mëshqerra pasi hyn në territorin e Shqipërisë, jep një viç dhe më pas 9 muajsh jep një viç të dytë. Në harkun e në vitit e gjysmë s’kemi vetëm një mëshqerrë, por dy.”, tha Braçe.