Pas prodhuesve të birrës vendas edhe ata të pijeve të forta alkoolike (spirits) do të preken nga ndryshimet fiskale të akcizës për 2023 të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Në projektligjin për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” unifikon nivelin e akcizës për të dy nivelet e prodhimit deri në dhe mbi 20,000 HL, me nivel akcizë 84,500 lekë për HL alkool.
Akciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: whisky, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo është e ndarë në dy fashë. Për prodhuesit vendas dhe të huaj deri në 20,000 hl/vit akciza është 65,000 lekë për Hl. Për fashën prodhuese mbi 20,000 hl/vit akciza është 84,500 lekë për Hl.
Përfaqësues të një ndër kompanive më të mëdha prodhuese të pijeve alkoolike në vend pohuan për “Monitor” se miratimi i këtyre ndryshimeve do të shkatërrojnë prodhimin vendas. Prodhuesit kërkojnë mosmiratimin e këtyre ndryshimeve, pasi do të jenë fatale për industrinë.
“Heqja e fashës dhe unifikimi i akcizës do të favorizojë shitjen e pijeve nga importi. Vodka e prodhuar në vend ka çmim më të lirë se ajo që importohet nga Polonia. Nëse çmimi i vodkës shqiptare do të rritet për shkak të shtimit të akcizës konsumatori nuk do të blejë prodhimin vendas, por do të blejë vodkën polake. Miratimi i këtyre ndryshimeve do të kenë efekte shkatërruese për prodhimin vendas. Industria rrezikon falimentimin”, pohon një nga prodhuesit.
Sasia e pijeve të forta alkoolike të prodhuara në Shqipëri, sipas të dhënave të Doganave, deri në 2018 ka qenë më e lartë se ajo e importuar. Për periudhën 2019-2021, importet kanë zëvendësuar prodhimin vendas. Në 2018-n, prodhimi vendas zinte 52,5% të konsumit të pijeve alkoolike. Në vitin 2019, pesha e prodhimit vendas në konsum u zvogëlua, pasi u rrit pesha e importeve. Prodhimi zinte 42% të konsumit. Në 2020-n, pesha e prodhimit te konsumi ishte 39% dhe në vitin 2021 ra në 35%.
Aktualisht sektori i prodhimit të pijeve alkoolike në vend vuan informalitetin e lartë dhe kostot e shtuara nga rritja e çmimit të energjisë dhe lëndëve të para. Problematikë tjetër e sektorit është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Kompanitë thonë se po punojnë me gjysmën e kapacitetit të fuqisë punëtore.
Në relacion shoqërues të projektligjit Ministria e Financave shprehet se propozimi për unifikimin e akcizës te pijet e forta alkoolike është mbështetur te rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ndër të tjera në relacion theksohet se ky ndryshim pritet të sjellë një efekt shumë të ulët (pothuajse i papërfillshëm) pasi vetëm 1,5% e sasisë së spirits deklarohen në fashën e ulët të akcizës. 98,5% e deklarimeve janë me akcizë 82,450 lek dhe ky rregull bëhet për të shmangur mundësinë e evazionit. “Në pjesën tjetër diferencuese janë vetëm 1,5% e sasisë totale dhe përgjithësisht lë vend për abuzim më shumë se të mbrojë prodhuesit e vegjël”, citohet në relacion.
Ministria e Financave mbështetur te të dhënat e doganave parashikon që deri në fund të vitit 2022 pijet e forta alkoolike do të zënë një sasi konsumi totale prej rreth 1,6 mln litra.
Sipas të dhënave të doganave për periudhën janar-korrik 2022 janë prodhuar 479,2 mijë litra pije të forta alkoolike dhe janë importuar rreth 1,1 mln litra./Monitor