Partia Demokratike ka patur jo pak probleme kohët e fundit lidhur me vulën apo kandidatët, por protesta e 11 shkurtit duket se do t’i bashkojë të gjithë deputetët.
Gazment Bardhi tha në emisionin “Opinion” se nuk ka asnjë arsye që të jenë të ndarë në betejën me kundërshtarin.
“E kam bërë publike, po do shkoj në protestë duke e mbështetur atë si një reagim qytetar ndaj një skandali që ka përfshirë kryeministrin dhe që ka tejkaluar zhvillimet brenda Shqipërisë.
Vendimi është marrë i konsultuar me të gjithë kolegët. Të gjithë koleget e grupit parlamentar do marrin pjesë në protestë. Nuk kemi asnjë arsye për të qenë të ndarë në betejën me kundërshtarin”, tha Bardhi.
Por, deputeti demokrat nuk i mohoi problemet që vazhdon të kalojë Partia Demokratike duke u shprehur: “Ne kemi një betejë të brendshme. Shkaqet që na ndajnë janë publike. Nuk ka një ndryshim qëndrimi në raport me ato çështje. Unë gjykoj se edhe sa i përket betejës së ardhshme elektorale duhet të gjenim një formë për tu unifikuar. Duhet vullnet i përbashkët”