Kreu i PD, Sali Berisha u ka dhënë porositë kryetarëve të degëve në Tiranë lidhur me protestën e 11 shkurtit.
Në një takim me krerët e degëve të Tiranës, Berisha u shpreh se nga nesër duhet të nisë puna për të ndërgjegjësuar anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike për misionin që ata do të ndërmarrin.
“Duke filluar që nesër ne duhet të nisim punën për të ndërgjegjësuar, vetëdijësuar anëtarët dhe simpatizantët tanë për misionin që marrin. Një revolucion i cili ka si mision kryesor të drejtën e shqiptarëve për votën e lirë. Por shqiptarët kurrë nuk do ta gëzojnë këtë të drejtë pa përmbysur këtë monizëm të bazuar në veprime kriminale dhe anti demokratike.
Ishte një periudhë e vështirë për Partinë Demokratike. Kjo do mbetet në memorie si një nga misionet më të rëndësishme. Ne do të fitojmë sepse kemi idealet. Nuk lëkundemi nga beteja jonë. Duhet një transformim rrënjësor ashtu si duhet të punojmë përditë për 14 Majin. Duhet të shumëfishojmë përpjekjet tona, sakrificat tona. Është koha të sakrifikojmë.
Është koha të japim reston atij që kërkon të na zhdukë ne. Është koha që ky armik të marrë atë që meriton. Shpreh besimin e madh tek ju se në këtë situatë ne së bashku do të arrijmë të ngremë në këmbë Tiranën dhe mbarë Shqipërinë. E keqja nëse nuk ndalet vetëm më e keqe bëhet dhe nuk duhet të ketë asnjë ndjenjë pesimizmi apo dëshpërimi. Por një motivim për të kthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë”, tha Berisha.