Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se opozita ka hyrë në fazën përfundimtare të rrëzimit të kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Gjatë fjalës së tij në takimin me kryetarët e degëve të PD-së, Berisha tha se opozita do të gërshetojë të gjitha përpjekjet e aksionit të saj, duke nisur me protestat, pjesëmarrjen në institucione dhe përballjen në Kuvend për të arritur qëllimet e saj.
Më tej Berisha paralajmëroi trazira në protestën e 11 shkurtit ku theksoi se të gjithë do zbresin në shesh, duke krijuar revolta në institucione dhe në Parlament.
“Largimi i tij është i domozdoshëm për të distancuar çdo shqiptar veten nga ky individ, që nuk nguron të kryejë aktet më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi të madh, një vendi që ka bërë më shumë se çdokush tjetër për lirinë e shqiptarëve. Nuk nguron në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën të përdorë atë kundër PD-së. Prova e demokratëve është prova e madhe. Është mission për shpëtimin e Shqipërisë.
Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është barrë për çdo shqiptar të ndershëm. PD si forcë e vokacionit perëndimor është dhe do të ngrihet në këmbë e tëra, deri në largimin e tij nga pushteti. Ne në takime të tjera kemi diskutuar sëbashku dhe kemi përcaktuar si mission largimin e Edi Ramës për rikthimin e votës së shqiptarëve. Por me zhvillimet e reja, largimi i Ramës bëhet dy herë më impenjativ për shkak të veprimeve të tij anti-shqiptare, të cilat mund t’i bënte vetëm Lukashenko i Bjellorusisë. Ne kemi nisur betejën në Parlament. Kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt. Hyjmë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti.
Do të gërshetojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe e rrugë, institucione e kudo. Qëndresën në parlament, hetimin parlamentar. Ora më e rëndësishme në misionin tonë. Ne do të bashkërendojmë dhe do të bëjmë çdo përpjekje për një ditë fitoreje në 14 maj, për kandidatët tanë të lirisë. Misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së më 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve. Detyre jo e lehtë por e realizueshme. PD do të fitojë, opozita shqiptare do të fitojë. Koha ka ndryshuar”, tha Berisha.